Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Edhe një ftesë nga Gjykata Speciale

Ish- luftëtari i UÇK-së, Selim Krasniqi, ka bërë të ditur se ka pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Siç bëri të ditur vetë Krasniqi, ai do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit.

Ai ka njoftuar se para prokurorëve do të paraqitet më 6 shkurt.

“Ne këto momente pranova ftesën nga zyra e prokurorisë se specializuar, për tu paraqitur ne Hage me: 06 02 2020, ne cilësinë e te dyshuarit! Krenar me luftën e UÇK-ves, kontributin tim dhe familjareve te mi dhe gjakun e derdhur për Liri. Lavdi gjithë te rënëve për Liri”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social ‘Facebook’.

Gjykata Speciale e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, do t’i hetojë krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët patën votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Megjithëse për intervistim janë ftuar dhjetëra persona, Gjykata Speciale ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.