Edhe një ditë kohë për zyrtarët publikë që të deklarojnë pasurinë

Ka mbetur vetëm edhe një ditë kohë për zyrtarët publikë që të përfundojnë obligimin e tyre ligjor – deklarimin e pasurisë.

Përmes një thirrjeje, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ylli Buleshkaj, ka treguar se deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë ka filluar më 1 mars dhe do të përfundojë nesër, më 31 mars.

“U bëjmë thirrje të gjithë zyrtarëve publik që deklarimin vjetor të pasurisë ta bëjnë saktë dhe me kohë” – ka thënë Buleshkaj.

Ai gjithashtu ka rikujtuar zyrtarët se për vonesë deri në 15 ditë, ligji parasheh shqiptimin e gjobës deri në 500 euro.

Gjithashtu Buleshkaj ka shtuar se në rast të mosdeklarimit të pasurisë, zyrtarëve përveç gjobës u përgatiten edhe kallëzime penale dhe mund të dënohen me burgim deri në 3 vite.

“Në rast të deklarimit të rremë zyrtarëve u përgatiten kallëzime penale dhe mund të dënohen me gjobë dhe burgim deri në 5 vite” – ka shtuar tutje ai.

Sipas të dhënave që ka ndarë APK-ja deri më sot 3 mijë e 745 zyrtarë apo rreth 76.71 për qind kanë dorëzuar deklarimin e pasurisë, ndërsa 776 zyrtarë apo rreth 15.90%, kanë filluar plotësimin e deklarimit të pasurisë.