Foto: Atdhe Mulla

Edhe nëse nuk zgjidhet Qeveria, Kuvendi mund të votojë buxhetin e vitit 2020

Kushtetuta e Kosovës e specifikon qartë dhe taksativisht rolin e pushtetit legjislativ – Parlamentit dhe ekzekutiv – Qeverisë në procesin e hartimit dhe miratimit të buxhetit. Sado që është alarmuar, me konstituimin e Kuvendit të Kosovës është hapur rruga që të miratohet buxheti i vitit 2020.

Roli kushtetues i Qeverisë së Kosovës mbi buxhetin, në fazën e aprovimit të buxhetit, është vetëm roli i propozuesit (paragrafi 5 i nenit 93 të Kushtetutës së Kosovës). Këtë propozim të draftbuxhetit në Parlament, Qeveria është dashur ta bëj më së largu deri me 31 Tetor të vitit 2019 për buxhetin e vitit 2020. Meqë Parlamenti është konstituar me 26 dhjetor, Qeveria në dorëheqje ka pas mundësi të dërgojë projektbuxhetin në Kuvend. Roli kushtetues i Parlamentit të Kosovës mbi buxhetin, në fazën e aprovimit, është roli i aprovuesit (paragrafi 5 i nenit 65 të Kushtetutës së Kosovës).

Parlamenti i Kosovës, bazuar në të drejtën pozitive buxhetore të Kosovës ka të drejtë të pakufizuar mbi buxhetin, respektivisht ka të drejtë ta aprovoj dhe mbikëqyrë zbatimin e tij. Fakti se Kosova ndodhet në një situatë specifike me Parlament të ri e Qeveri në dorëheqje nuk është pengesë për Parlamentin e Ri që ta shqyrtoj dhe aprovoj buxhetin.

Madje, Parlamenti i Kosovës ka pushtet të pakufizuar juridik në amandamentimin e draftbuxhetit të Qeverisë, madje mund ta ndryshon draftbuxhetin e Qeverisë në tërësi. Problemi qëndron në faktin se në asnjë legjislaturë deri më tash, Parlamenti i Kosovës nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë. Roli i tij ka qenë pasiv. Në këtë pasivitet të Parlamentit kanë ndikuar shumë faktor, por ndër më të rëndësishmit do të veçoja: – koalicionet qeverisës kanë pas shumicën në Parlament, prandaj buxheti është aprovuar ashtu siç e ka dëshiruar qeveria (përjashtim buxhetin e vitit 2019 që ishte miratuar me votat e opozitës dhe duke inkorporuar në të edhe disa kërkesa të PSD-së); mungesa e ekspertizës buxhetore si rezultat i mosthemelimit të Zyrës për Analizë Buxhetore në kuadër të Parlamentit; mos harmonizimi i mirë i punëve mbi buxhetin nga ekzekutivi dhe Parlamenti, etj.

E drejta e Parlamentit të Kosovës në caktimin e shpenzimeve shtetërore paraqet një paralele me të drejtën e Parlamentit në caktimin e të hyrave publike (tatimet, taksat, kontributet, huaja shtetërore). Parimi fundamental i së drejtës financiare/tatimore, që rrënjët i ka në “Magna Carta Libertatum” të vitit 1215, thotë se shteti nuk mund të caktoj/aplikoj tatime nëse nuk i ka paraparë me ligj. Ligjet i nxjerr Parlamenti, jo Qeveria. Ky është parim që nga shtetet zbatohet më shumë se një shekull.

Në të drejtën e Parlamentit të ri të Kosovës që ta aprovoj buxhetin nuk është pengesë mos themelimi i Komisioneve parlamentare, më konkretisht të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Roli i Komisioneve për Buxhet dhe Financa konsiston në senzibilizimin e deputetëve mbi çështje të buxhetit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por në situatën në të cilën ndodhet Kosova e kërcënuar nga kriza buxhetore, Parlamenti do të duhej ta shqyrtonte dhe aprovonte buxhetin edhe në mungesë të këtij komisioni. Situatën në këtë pikë e rëndon mungesa e Zyrës për Analizë Buxhetore e cila do të luante një rol shumë të rëndësishëm duke u dhënë ndihmë deputetëve në çështje të ndërlikuara buxhetore përmes këshillave. Këto Zyra Buxhetore janë trupa profesionale me ekspertizë të thellë buxhetore, të cilat i kanë themeluar shtetet për t’ju ndihmuar deputeteve në çështje të buxhetit.

Varësisht nga ndikimi i parlamenteve në buxhet dhe procedurën buxhetore të gjitha Parlamentet në botë mund të kategorizohen në tri grupe:

  1. a) Parlamentet të cilët e bëjnë buxhetin. Këto parlamente kanë aftësinë, mundësit dhe kapacitetet e ndryshimit dhe refuzimit të projekt-buxhetit të qeverisë si dhe aftësinë e përpilimit të projekt-buxhetit plotësues sipas zgjedhjes vetanake. Në këtë grup hyjnë parlamentet e këtyre shteteve: SHBA, Republika Çeke, Danimarka, Hungaria dhe Finlanda.
  2. b) Parlamentet të cilët në një masë të caktuar ndikojnë në buxhet. Këto parlamente kanë aftësinë dhe kapacitetet që të ndërrojnë apo ta refuzojnë aprovimin e projektit buxhetit të qeverisë por ju mungon aftësia e përpilimit të projekt buxhetit plotësues sipas zgjidhjes vetanake. Në këtë grup hyjnë parlamentet e këtyre shteteve; Austria, Gjermania, Islanda, Irlanda, Italia, Korea, Meksika, Franca, Norvegjia, Holanda, Polonia, Portugalia, Spanja, Suedia, Zicvra, Turqia.
  3. c) Parlamentet me pak apo aspak ndikim në buxhet. Këtyre parlamenteve u mungon kapaci teti të ndryshojnë apo ta refuzojnë projekt-buxhetin e qeverisë si dhe u mungon aftësia e përpilimit të projekt-buxhetit plotësues sipas zgjidhjes vetanake. Pushteti i këtyre parlamenteve kufizohet vetëm në aprovimin e buxhetit të qeverisë. Në këtë grup bëjnë pjesë para së gjithash parlamentet e tipit të Westminsterit në të cilët paraqitja e amandamenteve në projekt-buxhet nënkuptohet si paraqitje e mosbesimit ndaj pushtetit ekzekutiv duke shpejtuar dorëheqjen e qeverisë. Në këtë grup hyjnë parlamentet e këtyre shteteve; Australia, Kanada, Zelanda e Re, Anglia dhe dy shtetet që nuk i takojnë tipit të Westminsterit – Japonia dhe Greqia.

Ku është Kosova në grupimet e mësipërme? De jure Kosova hyn në grupin nën a) sepse Parlamenti ka pushtet të pakufizuar juridik në amandementin e buxhetit dhe çështjet tjera mbi buxhetin. De facto duke e marr parasysh rolin pasiv të të gjitha legjislaturave mbi buxhetin Kosova hyn në grupin nën c).

Përfaqësuesit e partive që i kanë fituar zgjedhjet e 6 tetorit, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë deklaruar se projeksionet e buxhetit për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme të shpenzimeve të bëra nga Qeveria në largim, do të rishikohen. Mirëpo, duke marr parasysh hapësirën kohore të kufizuar, edhe pse kanë të drejtë në këtë qëndrim të shprehur, partitë fituese, pa humbur kohe, duhet të marrin hapin që përmes një konsensusi politik me të gjitha partitë parlamentare ta shqyrtojnë dhe aprovojnë buxhetin.

 

Autori është Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, bashkëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal- Amsterdam, dhe anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të profesorëve të së Drejtës Tatimore -Amsterdam.