Aparaturat e kriptovalutave të sekuestruara nga Policia e Kosovës Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Edhe në Vushtrri sekuestrohen aparate për prodhim të kriptovalutave

Policia e Kosovës ka sekuestruar 6 aparate dhe 42 kartela për prodhimin e kriptovalutave në Vushtrri.

Sekuestrimi i aparateve dhe pajisjeve të dyshuara është bërë në orët e mbrëmjes në fshatin Druar të Vushtrrisë, derisa policia ka ndaluar një veturë me targa vendore.

Gjatë kontrollit të detajuar brenda veturës janë gjetur dhe sekuestruar 6 aparate me 42 kartela dhe  mjete të ndryshme të dyshuara që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.

Aparaturat e kriptovalutave të sekuestruara nga Policia e Kosovës
Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit ndërsa një person është intervistuar.

“Lidhur me  veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes, i cili ka  sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore. Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar drejtuesi i veturës, i cili pas intervistimit  është liruar në procedurë rregullt”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar edhe dy aksione të tjera për sekuestrim të pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganat e Kosovës konfiskoi 272 aparatura për prodhimin e kriptovalutave në Leposaviq. Të njëjtat, sipas ministrit të Financave, harxhonin rrymë sa 500 shtëpi banimi.

Po ashtu, Policia e Kosovës njoftoi se ka sekuestruar disa aparatura që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave në kryeqytet.

Më 4 janar Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të anulojë veprimtarinë e prodhimit të kriptovalutave për shkak të gjendjes emergjente të energjisë në të cilën është Kosova.