Edhe në rigjykim i akuzuari për krime lufte, Çaslav Joliq nuk e pranon fajësinë

Çaslav Joliq, i akuzuar për “krime lufte” ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1998, është ulur përsëri në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

Në seancën e së mërkurës, më 05.02.2025, në rigjykim, i akuzuari Çaslav Joliq ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për akuzat e Prokurorisë Speciale që rëndojnë ndaj tij.

Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit për “krime lufte” ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1998, Çaslav Joliq, i cili ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës.

Joliq më 10.06.2024 ishte dënuar nga Gjykata e Prishtinës me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vjetësh, në bazë të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.

Me pëlqimin e palëve në procedurë, Aktakuza u konsiderua e lexuar, ndërsa seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve.

Prokurori special Ilir Morina në fjalën e tij hyrëse tha se janë të bindur se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të pandehurit Joliq.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës qëndron pranë fjalës hyrëse të dhënë gjatë shqyrtimit të parë dhe dëshiron të shtojë, megjithëse është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, ne jemi të bindur se gjatë këtij shqyrtimi do të eliminohen ato paqartësi të evidentuara nga Gjykata e Apelit dhe do të vërtetohet fajësia e këtij të pandehuri.” – tha prokurori Morina.

Gjatë fjalës hyrëse prokurori Morina i propozoi Gjykatës që të dëgjohen sërish dëshmitë e tre dëshmitarëve të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes, ndërsa lidhur me dëshmitarët e tjerë, prokurori Morina tha se janë dëshmiatrë rrethanorë dhe se Prokuroria rezervon të drejtën që këta dëshmitarë të thirren varësisht prej zhvillimit të procesit gjyqësor.

Tutje, prokurori Ilir Morina gjatë fjalës së tij hyrëse propozoi që në cilësi të dëshmitares të dëgjohet ekspertja Selvije Izeti, e cila merret me viktimat e krimeve të luftës dhe tha se e njëjta do të sqarojë rrethanat në aspektin profesional të cilat ndikojnë në memorien e viktimave dhe dëshmitarëve në aspektin psikologjik të tyre, çka e shkakton këtë mospërputhje që Gjykata e Apelit e ka evidentuar.

Në fjalën hyrëse mbrojtësja e të akuzuarit Çaslav Joliq, avokatja Jovana Filipoviq tha se në këtë procedurë duhet të mundohen që t’i vërtetojnë të gjitha faktet që kanë të bëjnë me të akuzuarin.

“Ne sot përsëri jemi mbledhur këtu që të tentojmë që t’i vërtetojmë të gjitha faktet, në lidhje me Aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe në lidhje me të akuzuarin Çaslav Joliq. Në këtë procedurë duhet të mundohemi që të gjitha faktet t’i vërtetojmë në lidhje me të akuzuarin konkret.” – tha avokatja Filipoviq.

“Kjo nuk është proceduë që duhet të gjykojmë dikënd vetëm se është serb, apo vetëm se konsiderohet se një vepër e caktuar është bërë nga ana e një serbi dhe është e rëndësishme që për këtë të përgjigjet kushdo që ështe i nacionalitet serb.” – shtoi tutje avokatja Filipoviq.

Lidhur me propozimet e prokurorit Morina, avokatja Filipoviq tha se brenda një afati prej 7 ditësh bashkë me avokatin Miodrag Brkljaq, Gjykatës do t’i parashtrojë një Parashtresë me shkrim, në të cilën në detaje do të deklarohen për të gjitha propozimet.

Në fillim të seancës avokatja që mbron të akuzuarin Joliq, Jovana Filipoviq kërkoi nga Gjykata që seanca e sotme dhe dëgjimi i dëshmitarëve të shtyhet dhe të caktohet për një datë tjetër, me arsyetimin se mbrojtësi i të akuzurarit Joliq, avokati Miodrag Brkljaq për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk ia ka dorëzuar shkresat e lëndës dhe autorizimin zëvendësueses, nga avokati Brkljaq e ka marrë të hënën dhe për shkak të pamundësisë së kohës nuk ka mundur të përgatitet për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Trupi Gjykues mori Aktvendim duke aprovuar Kërkesën e avokates Filipoviq për ndërprerjen e seancës dhe që dëgjimi i dëshmiatrëve të caktohet për një datë tjetër.

Tutje, kryetari i Trupit Gjykues, Ngadhnjim Arrni tha se lidhur me propozimin e prokurorit Morina për dëgjimin e ekspertit, Trupi Gjykues do të vendosë jashtë seancës pas pranimit të Parashtresës nga mbrojtja.

Seancat e radhës për këtë çështje penale janë caktuar për në muajin mars 2025.

Trupi Gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Ngadhnjim Arrni (kryetar), Arben Hoti dhe Lutfi Shala (anëtarë).

Çka thotë Dosja e Prokurorisë?

Sipas Dosjes së siguruar nga KALLXO.com, në vitin 1998, në lagjen “Bllagaq” të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Z. M. po i shoqëronte për te vendi i ngjarjes dy gazetarë: njëri anglez e tjetri belg, së bashku me një përkthyese shqiptare.

Me të arritur te vendi i ngjarjes nga shtëpia e Rosa Pejoçinoviqit dalin pesë persona të veshur me uniformë të Policisë serbe: Radule (Dule) Pejoçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejoçinoviq, Millosh Joliq dhe një person tjetër i paidentifikuar. Të njëjtit akuzojnë të dëmtuarin Z. M., se pse i kishte sjellë gazetarët në vendin e ngjarjes. Pas këtyre akuzave të lartcekurit e sulmojnë fizikisht dhe dy prej policëve e kapin për krahu dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grushte dhe shqelma për një periudhë prej 20 minutave, derisa në një moment personi me nofkën (Dule) e kishte goditur me boks në kokë të dëmtuarin, me ç’rast Z. M. kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë – duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, më 15 mars të vitit 1998, derisa i dëmtuari tjetër N. F. po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga disa persona, në lokal kishin shkuar 5 policë serbë dhe duke e kapur për qafe e kishin tërhequr zvarrë jashtë lokalit. Pastaj, të gjithë fillojnë ta sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas Aktakuzës, polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur me tytë të automatikut disa herë në kokë, duke ia mbuluar tërë trupin në gjak dhe duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në Stacion të Policisë në Gurakoc. Tutje, në Dosje thuhet se duke e dërguar në Stacion të dëmtuarin e njoftojnë se do ta ekzekutojnë. Ndërsa, më 28 mars të po të njëjtit vit të dëmtuarin e kishin detyruar që ta lëshojë shtëpinë si çdo banor tjetër i fshatit.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë çështje mund t’i gjeni në këtë: LINK.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte” gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.