Ilustrim

Edhe Mitrovica do të fillojë prodhimin e maskave mbrojtëse

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se një fabrikë në Mitrovicë do të fillojë prodhimin e maskave mbrojtëse.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka pritur sot në takim pronarët e Fabrikës së Konfeksionit ‘Euro Tex’ në Mitrovicë, Agron Syla dhe Arian Syla, ku është njoftuar se kjo fabrikë do të dhurojë rreth 2 mijë maska mbrojtëse falas në ditë për Komunën e Mitrovicës.

“Me këtë rast pronarët e Fabrikës së Konfeksionit “Euro Tex” njoftuan kryetarin Bahtiri se janë të gatshëm t’iu dalin në ndihmë në parandalimin e virusit COVID-19, duke përgatitur maska mbrojtëse falas për çdo ditë 1500-2000 copa, për të gjitha institucionet e Komunës së Mitrovicës, duke përfshirë institucionet shëndetësore, Policinë, ndërmarrjet publike, si dhe qytetarë të tjerë të cilët kanë nevojë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Ndërsa kryetari Bahtiri është shprehur falenderëues ndaj pronarëve të kësaj fabrike për gatishmërinë dhe vullnetin e tyre, për të ndihmuar institucionet e Komunës dhe qytetarët e Mitrovicës, që të pajisen me maska mbrojtëse.

Ndërkohë, edhe në Gjakovë, një punëtori e tekstilit ka filluar prodhimin e maskave mbrojtëse, të cilat më pas do t’i jepen Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë.

Kriza e coronavirusit, Gjakova prodhon vetë maska shumëpërdorimshe