Dr. Lul Raka

Edhe mikrobiologu Lul Raka infektohet me COVID-19

Mikrobiologu i njohur kosovar, Lul Raka ka njoftuar se ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19.

Raka ka sqaruar se nuk ka simptoma të virusit.

“Pas disa simptomave të shfaqura mbrëmë te gruaja Laura, sot u testuam për COVID. Unë dhe gruaja rezultuam pozitivë (unë nuk kam simptoma). Fëmijët, Lena dhe Lumi dolën negativ. (Learti punon e studion ne Prishtinë)”, ka shkruar Raka në facebook.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.374 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 486 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar nëntë raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Numri total i rasteve pozitive është 20.655 raste nga 97.148 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 697 raste të vdekjes.