Rrahman Jasharaj | Foto: RTV 21

Edhe kryetari i SBAShK-ut reagon ndaj deklaratave të kryeministrit Kurti për drejtuesit e sindikatave

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, e ka konsideruar “përzierje në punë të sindikatave” deklaratën e sotme të kryeministrit Albin Kurti, i cili uroi që të ndërrohen drejtuesit e sindikatave.

“Është hera e parë në gjithë vitet e pasluftës edhe pse kemi pasur mospajtime me shumë ish-kryeministra dhe ish-ministri, por kjo nuk ka ndodhur që të përzihet drejtëprdrejt në sindikata asnjëherë”, tha Jasharaj.

Sipas tij, nuk është detyrë e Kurtit që të tregojë se kush duhet të jetë në krye të sindikatave.

“Duke u deklaruar se duhet të kemi ndryshime në udhëheqësi, nuk është detyrë e Kurtit, sepse për SBAShK vendos vetëm anëtarësia e SBAShK-ut. Ata vendosin me votën e tyre se kush do të udhëheqë dhe ajo që di është se kam besimin e gjithë anëtarësisë, që do ta ruaj gjithmonë dhe janë ata kur vjen kongresi vendosin se kush do t’i udhëheqë dhe jo detyrë e kryeministrit Kurt”, tha Jasharaj për KALLXO.com.

Jasharaj shtoi se nuk “lodhet” se çka thotë Qeveria.

“Unë nuk lodhem çka thotë Qeveria sepse vetëm anëtarësia më zgjedh dhe jo Qeveria. Kurti ka mjaft punë për të bërë dhe është detyrë e tyre të flasin me sindikatat dhe jo të përzihen në punën tonë”, shtoi më tej Jasharaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se është mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë.

Kurti u shpreh kështu në një konferencë për media sot kur u pyet për grevat që janë mbajtur nga Sindikata e Shëndetësisë dhe disa sindikata të tjera sa i përket Ligjit për Paga.

Më 25 nëntor dhe më 2 dhjetor, stafi shëndetësor kanë mbajtur grevë 8-orëshe. Në krye të kësaj greve ishte kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

Grevistët kërkonin nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Ligji për Paga. Një kërkesë të tillë e kishte edhe SBAShK, që kishte paralajmëruar protestë më 4 dhjetor, por e kishin anuluar, pas një takimi me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që kanë biseduar për Ligjin për Paga.