Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale shkoi në vendin ku u kapën rreth 400 kilogramë kokainë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka dalë në vendin e ngjarjes në hyrje të qytetit të Lipjanit ku u kapën dhe u konfiskuan rreth 400 kilogram kokainë.

Ai së bashku me drejtuesin e Departamentit të Antidrogës në Policinë e Kosovës, Bahri Shala po përcjellin nga afër punën e policisë pas konfiskimit të kokainës.

Isufaj u ndal para gazetarëve por vetëm përgëzoi punën që është bërë nga organet e rendit ndërsa për detaje ai tha se do të bëhen publike në një konferencë për media e cila do të mbahet në Prokurorinë e Shtetit.

Kujtojmë se një kamion për bartjen e mallrave të konfiskuara nën mbikëqyrje të njësiteve speciale të Kosovës rreth 1 orë më parë është nisur drejt Prishtinës, ndërsa hetues të shumtë të anti-drogës gjenden ende në vendin e ngjarjes ku u ndal kamioni i cili po transportonte kokainën të fshehur brenda në mish.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar se në Kosovë nuk janë konfiskuar mbi 2 ton kokainë. Demantimin e lajmeve të tilla e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i antidrogës Bahri Shala.

Siç mëson KALLXO.com kokaina që është kapur në hyrje të Lipjanit, në Kosovës ka hyrë përmes pikës kufitare Vërmicë.

(VIDEO) Pamje e vendit ku është lokalizuar droga e kapur nga Policia