Edhe Komuna e Fushë-Kosovës u thotë "jo" doracakëve për edukimin seksual

Edhe Komuna e Fushë-Kosovës ka marrë vendim që në shkollat e komunës të mos aplikohet përdorimi i doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”, që janë aprovuar nga Ministria e Arsimit.

“Sot kemi marrë vendim për mos aplikimin e përdorimit të Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Komunës së Fushë-Kosovës” – thuhet në njoftim në faqen zyrtare të Komunës së Fushë-Kosovës në Facebook.

Ndër të tjera në reagim thuhet së shqetësimet e përfaqësuesve të Komunës së Fushë-Kosovës i janë adresuar Ministrisë së Arsimit edhe gjatë diskutimeve për përmbajtjen e këtyre doracakëve.

“Përfaqësuesit e Komunës së Fushë Kosovës nga Drejtoria e Arsimit edhe gjatë diskutimeve me MASHT lidhur me këtë temë kanë shprehur shqetësimin për përmbajtjen e udhëzimeve ku janë paraparë aktivitete në praktikë – prekje me fëmijë nën moshën adekuate” – thuhet në njoftimin zyrtar të Komunës.

Vendim të ngjashëm ka marrë sot edhe Komuna e Prishtinës.

Sipas drejtoreshës së Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriu, përmbajtja e doracakëve është “e dëmshme dhe abuzues” për fëmijët.

“Ne besojmë se kjo përmbajtje është e dëmshme dhe abuzuese me fëmijët dhe besojmë fuqishëm që ky vendim për mos aplikimin e doracakëve është në interesin e nxënësve dhe prindërve të komunës sonë”- thuhet në njoftimin zyrtarë.

Lidhur më përdorimin e këtyre doracakëve ka pasur edhe reagime nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Një deklaratë e deputetit Eman Rrahmani në seancën e datës 11.11.2024 në Kuvendin e Kosovës lidhur me doracakët për edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues është bërë temë diskutimi në publik.

Lidhur me këtë temë ka reaguar Ministria e Arsimit.

Sipas Ministrisë, doracakët në fjalë nuk janë obligativë dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.

Replika e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në Kuvend ishte se “kurrikulat tona të cilat i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe miredukimin e të gjitha vajzave dhe djemve”.

Mirëpo, dje, më 13.11.2024, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit tha se nuk ka ndonjë kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual.

Por, në sqarimin e MASHTI-it u tha se janë katër doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindër dhe këto materiale janë finalizuar dhe miratuar nga MASHTI më 10.02.2020.

Ministria tha se njofton prindërit, palët e interesit se këta doracakë nuk janë obligativë dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.

“Në vitin 2016, MASHTI ka themeluar grupin punues me përfaqësues si ekspertë nga IKSHPK, ekspertë të kurrikulës dhe mësimdhënës, me detyrë për hartimin e dokumenteve dhe këtyre doracakëve. E gjithë ky proces është mbështetur nga UNFPA. Grupi punues ka hartuar 4 doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindër. Këto materiale janë finalizuar dhe miratuar nga MASHTI më 10.02.2020” – u theksua në reagimin e Ministrisë.

Ndërsa, sot me 14.11.2024 ka reaguar Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) duke theksuar rëndësinë e edukatës seksuale te fëmijët.

Sipas KOMF, edukata seksuale është një pjesë thelbësore e zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shëndetin e tyre fizik, emocional dhe mendor.

“Një edukim i tillë është vendimtar për t’i ndihmuar ata të kuptojnë ndryshimet trupore, marrëdhëniet, përgjegjësitë dhe kufijtë personalë, duke rritur mundësinë e mbrojtjes nga rreziqet dhe duke i fuqizuar ata për të bërë zgjedhje të shëndetshme dhe të informuara” – thuhet në reagimin e KOMF më 14.11.2024.

KOMF ka shpreh mbështetjen e tij ndaj Ministrisë së Arsimit për integrimin e edukatës seksuale në arsimin parauniversitar në Kosovë.

“Ky integrim reflekton edhe obligimet që burojnë nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës në Kosovë, ku në Nenin 7 përcaktohet e drejta e çdo fëmije për mbrojtje nga çdo formë dhune, abuzimi dhe shfrytëzimi, si dhe e drejta për qasje në arsimim gjithëpërfshirës dhe cilësor, përfshirë edukatën shëndetësore dhe seksuale” – kanë thënë nga KOMF.