Foto: Facebook/ Nisma Socialdemokrate

Edhe koalicioni NISMA-AKR-PD dënohet për shkelje të heshtjes zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka miratuar dy ankesat e organizatave BIRN dhe Internews Kosova, për shkelje të heshtjes zgjedhore nga koalicioni NISMA-AKR-PD, duke e dënuar me 900 euro gjobë.

Dënimi ka të bëjë me vazhdimin e sponsorizimit të fushatës në rrjetin social ‘Facebook’ edhe në ditën e heshtjes zgjedhore.

Në llogarinë zyrtare të kandidatëve për deputetë nga koalicioni në fjalë, Vesel Makolli dhe Islam Pacolli, është bërë fushatë.

Kjo sipas ankesës është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhje dhe Kodit të Mirësjelljes.

Në përgjigjen e koalicionit për ankesën thuhet se materialet e publikuara në ‘Facebook’, janë publikuar gjatë fushatës, para hyrjes në heshtje zgjedhore, të cilat materiale janë sponsorizuar dhe si të tilla nuk mund të kontrollohen.

PZAP-ja i ka miratuar ankesat e organizatave dhe koalicioni NISMA-AKR-PD gjobën prej 900 eurove ka afat ta paguajë brenda 15 ditëve.

Deri më tani pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova, PZAP-ja ka dënuar me 138 mijë euro partitë politike.

Ankesat e BIRN dhe Internews Kosova, PZAP gjobit me 138 mijë euro partitë politike