Edhe Haradinaj propozon që zgjedhjet të mbahen me 26 janar 2025
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar 2025.
Ai tha se takim me presidenten Vjosa Osmani të njëjtin qëndrim e kanë shprehur edhe partitë tjera opozitare.
“Sot në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës, propozova që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 26 Janar 2025. Kjo është data e parë në përputhje me afatet ligjore. Të njëjtin qëndrim e shprehën edhe partitë tjera opozitare”- tha ai.
Ndërsa sipas tij, partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton Presidentja.
“Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim”- shtoi Haradinaj.
Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK e AAK kanë propozuar që zgjedhjet e rregullta në Kosovë të mbahen më 26 janar 2025.
Kjo u bë e ditur nga krerët e këtyre partive pas takimit të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për tu konsultuar për datën e zgjedhjeve të ardhshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar për media pas takimit me liderët e partive politike në vend për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme.
Osmani tha se janë pajtuar që dita e zgjedhjeve të caktohet pas analizës të disa datave të mundshme për organizimin e tyre.
“Disa parti preferuan 25 janarin, disa tjera 2 shkurtin, dhe të tjera që nuk kishin preferencë. Meqenëse shumica nuk kishin kërkesa për konsultime shtesë u pajtuam që pasi të bëjmë analizën e të gjitha datave të caktohet dita e zgjedhjeve. Ky vendim ende nuk është marrë”- tha ajo.