Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit e Grupit Parlamentar 6+, 2 prill 2020 Foto: Zyra e Presidentit

Edhe Grupi Parlamentar 6+ kundër zgjedhjeve të reja për shkak të CoVid-19

Albert Kinolli nga Grupi Parlamentar 6+ pas takimit konsultativ me presidentin Hashim Thaçi ka thënë se janë kundër shkuarjes në zgjedhje të reja për shkak të përballjes me coronavirusin.

Kinolli shtoi se janë për një qeveri të re dhe stabile.

“Jemi të mendimit se askush nuk ka vdekur nga zgjedhjet, mirëpo duhet pasur parasysh se gjendemi në një situatë jashtëzakonisht kritike për shkak të CoVid-19 janë në pyetje jetët e shumë njerëzve. Tani për momentin nuk është koha, nuk jemi të mendimit që qytetarët t’i ekspozohen rrezikut, t’i ftojmë në tubime dhe të dalin në zgjedhje”, tha ai.

Kinolli shtoi se gjithmonë janë për zgjedhje demokratike, por në këtë situatë nuk janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Momenti është se ndërgjegjja na thotë që tani të jemi konstruktiv dhe të japim kontributin tonë që në një të ardhme sa më të afërt të formojmë një qeveri të re, stabile pasi jemi duke luftuar pandeminë”, tha ai.