Edhe dy të vdekur nga COVID-19 në Kosovë sot

Dy  persona të infektuar me COVID-19 kanë vdekur sot në QKUK.

Viktima janë pacienti A.M. 56-vjeçar nga Rahoveci dhe tjetri  H.K  61-vjeçar nga Prizreni.

Dje, po ashtu është shënuar një vdekje, përkatësisht ka vdekur pacientja  H.B. 62 vjeçare nga Komuna e Prizrenit.

Sipas njoftimit të Klinikës Infektive, pacienti që vdiq sot, H.K, 61-vjeçar ishte pranuar në Njësinë Intensive në Qendrën e Mjekësisë Sportive ( NjIQMS) me datë 23.06.2020, si transfer nga Klinika e Pulmologjisë, i konfirmuar me strisho pozitive për COVID-19.

Ndërkaq, në Infektivë sot janë të hospitalizuar 101 raste.

44 raste janë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Në repartin e Mjekimit Intensiv janë duke u trajtuar 5 raste, 2 raste janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, si dhe 3 raste janë në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar me respiratorë.

Sipas raportit ditor të publikuar nga QKUK, sot, nga klinika do të  lirohen 16 raste, 13 raste Covid-19 pozitiv në gjendje stabile në vetizolim në shtëpi si dhe 3 të shëruar nga infeksioni me Covid -19.