
Edhe dy policë të suspenduar nga IPK për rastin e të shtënave me armë ndaj motoçiklistit në Gjakovë
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se sot kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës në Gjakovë.
Suspendimi sipas IPK-së lidhet me rastin e 13 shtatorit ku dyshohet se një zyrtar policor kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të një motoçiklisti i cili ishte në lëvizje ku edhe kishte shkaktuar rrezik të përgjithshme.
“Në kuadër të një hetimi që Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kishin filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj disa të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës), sot është bërë rekomandimi për suspendim edhe për dy zyrtarë policorë lidhur me rastin e njëjtë”, thuhet në komunikatën e IPK-së të ditës së sotme.
Sipas IPK-së, rekomandimi për suspendim që është bërë në interes të procedurës hetimore, është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Suspendimi i dy policëve sot, lidhet me rastin e 13 shtatorit, nga ku IPK muajin e kaluar kishte nisur hetimet për disa zyrtar policor.
Më 28 tetor, IPK kishte njoftuar se kishte suspenduar shtatë polic, për rastin e lartëpërmendur.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kanë filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj disa të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës)”, thuhej në njoftimin e IPK-së më 28 tetor të muajit të kaluar.
Hetimi fillimisht kishte filluar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” lidhur me një incident që kishte ndodhur më 13 shtator 2020.
IPK ka qenë duke e hetuar në këtë rast rrethanat e përdorimit të armës së zjarrit nga një zyrtar policor me dyshimin se me rastin e gjuajtjes me armë zjarri ndaj një motoçiklisti në lëvizje (person i dyshuar) janë tejkaluar autorizimet e tij për përdorimin e armës zyrtare.
“Sidoqoftë, gjatë hetimit të këtij rasti, hetuesit e IPK-së kishin zbuluar prova shtesë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autorizimeve zyrtare edhe nga disa zyrtarë policorë (fshehje e dëshmive dhe informacioneve lidhur me rastin e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm)”, thuhej në njoftimin e policisë më 28 tetor të muajit të kaluar.
Në total zyrtar policor të suspenduar nga ana e IPK-së, për të njëjtin rast janë gjithsej nëntë.