Ilustrim

Edhe dy policë identifikohen se kanë marrë ryshfet në pikën kufitare Qafë Morinë

Dy zyrtarë të tjerë policor kufitar janë suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

KALLXO.com mëson se deri te suspendimi erdhi hetimi i detajuar i IPK-së në lidhje me rastin e njohur për publikun si “Pika”.

Dy zyrtarët policor të suspenduar sot janë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Qafë Morinë.

Të njëjtit dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën e tyre dhe kanë pranuar ryshfet.

“Me rekomandim të IPK-së dy zyrtarët policorë janë suspenduar përderisa hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen më këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Siç mëson KALLXO.com, të dy zyrtarët policor janë identifikuar si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të përmendura më lartë, gjatë hetimit të provave që ka arritur të siguroj IPK deri sa po zbatonte masat e fshehta.

Kujtojmë se dhjetëra zyrtar policor kufitar janë arrestuar e janë suspenduar për vepra të ngjashme penale.

Aksioni i IPK-së i ndarë në dy grupe kishte rezultuar me 48 polic të arrestuar në Qafë Morinë dhe 26 të tjerë në Vërmicë.

Përfundon aksioni i IPK-së në Vërmicë, 26 policë kufitar të arrestuar

Aksioni i IPK, i gjithë stacioni kufitar në Gjakovë i dyshuar për korrupsion