Edhe dy infermierë të Klinikës Infektive preken me coronavirus

Numri i infermierëve të Klinikës Infektive të prekur me coronavirus ka mbërritur në tre.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka njoftuar se nga stafi mjekësor nga infermierët e infektuar, dy janë dërguar në trajtim ndërsa një tjetër është vetizoluar.

Hoti gjithashtu ka njoftuar se në Klinikën Infektive të QKUK, vetëm sot janë të hospitalizuar 40 pacientë me coronavirus.

Nga ta 34 janë në gjendje stabile e gjashtë të tjerë kanë nevojë për oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

“I gjithë stafi i Klinikës Infektive është i trajnuar për përdorim të masave mbrojtëse personale, mirëpo edhe përkundër kësaj, duke pasur parasysh natyrën e infeksionit Covid-19, asnjëherë nuk ka siguri një qind për qind”, ka njoftuar Hoti.

Deri më sot 106 persona janë konfirmuar me coronavirus në Kosovë.