Edhe “Amerika e vogël” e Kosovës, e ndarë për zgjedhjet
“Po qysh nuk foli kur sot po voton shteti jem”, nuk mendohet dy herë Samir Brahimi, teksa me dorën e djathtë e fshin makinën në një autolarje vetë-shërbyese në hyrje të fshatit Sojevë të Ferizajt, ku ndodhet “Bondsteeli”, kampi më i madh ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan.
Brahimi, 38 vjeç, ka punuar më shumë se një vit në kuzhinën e kampit, të vendosur në tokat e sojevasve. Atij në kamp i kanë punuar edhe familjarë të tjerë. “Këqyre, unë e kam gruan në Amerikë dhe jam në proces të rregullimit të letrave, por gruaja jem, që jeton në Oklahomë ka votu sot”, thekson Brahimi, duke vazhduar njëherësh me një leckë ta thajë makinën.
Megjithëse e pranon se ka një adhurim më të madh për kandidatin republikan, ish-presidentin Donald Trump, thotë se demokratja Kamala Harris ka program më të mirë të politikës së jashtme dhe për emigrantë. Shtetet e Bashkuara e kishin strehuar familjen refugjate të gruas së tij nga kampi i Çegranit në Maqedoninë e Veriut më 1999. “Me këqyrë hollë e hollë, Trumpi iu ka ndihmu ma shumë atyre që kanë biznese në Amerikë”.
Si në Amerikë
Ngjashëm si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku elektorati është i ndarë varësisht prej favorizimit të politikave të caktuara të dy kandidatëve me pikëpamje krejtësisht të ndryshme, edhe në Sojevë, të intervistuarit mbështesin politikat e brendshme të Trumpit, por favorizojnë politikat e jashtme të Harrisit, sidomos në raport me rajonin. E nuk ka vendbanim tjetër në Kosovë që e ka ndier dorën amerikane të ndihmës më shumë se Sojeva.
Krejt afër hyrjes së kampit “Bondsteeel”, ku Brahimi derisa punoi do të blinte veshmbathje të brendeve amerikane, ndodhet lapidari për nder të Joseph Beau Bidenit të Tretë, të birit të ndjerë të presidenti aktual. Beau kishte shërbyer në Kosovë. “Një simbol i fuqizimit të miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Lapidari ka formën e flamurit amerikan me shirita dhe yje. Rruga ndanë tij, mban emrin e tij.
Milot Sojeva, 40 vjeç, tregon sesi i gjithë fshati ishte ndier i nderuar kur vetë presidenti Biden me familje do ta vizitonte Kosovën dhe do të falënderonte komunitetin e fshatrave të rrethinës para lapidarit. Sipër tij, valon flamuri i demokracisë më të madhe të botës. Sojeva tregon në kamp kanë do të punonin vëllai dhe motra. Krejt familje tani po përcjellë presidencialet amerikane.
“Zgjedhjet amerikane janë të rëndësishme, sepse Amerika, aleatja historike e Kosovës, na bën që ne të mendojmë më mirë gjithmonë për këtë aleat tonin”, thekson Sojeva. “Nuk ka rëndësi kush fiton. Ka rëndësi që politika e Amerikës ndaj Kosovës, ndaj aleates që e ka të përbetuar, nuk do të ndryshojë”, thekson ai, pavarësisht se shumë analistë të zhvillimeve ndërkombëtare druajnë se me kthimin eventual Trumpit mund të ketë ndryshim të qasjes amerikane ndaj politikës së jashtme, përfshirë Ballkanin.
Betim Syla, kryetar i fshatit, beson fort se pavarësisht se kush do ta marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në janarin e 2025-s, Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Kosovës.
“Shpresa jonë është që çdo administratë amerikane të vazhdojë ta mbështesë paqen dhe zhvillimin në Kosovë, duke kontribuar kështu në të ardhmen tonë të përbashkët”, thekson Syla, i cili është pjesë e administratës komunale të Ferizajt.
“Amerika, Kosova – një shtet”
Shumë prej shtëpive dy a trikatëshe në zemër të Sojevës u ngritën pas lufte kastile për t’ua lëshuar me qira amerikanëve që ishin pjesë e kompanive private që u ofronin shërbime të ndryshme ushtarëve amerikanë në “Bondsteel”. Qiraxhinj amerikanë ende ka në shtëpinë e Milot Sojevës.
Megjithëse është reduktuar theksueshëm numri i punëtorëve shqiptarë dhe amerikanë në kamp, kompanitë amerikane ishin ura lidhëse për angazhimin e shtetasve të Kosovës, sidomos të Ferizajt, për të punuar në kampet ushtarake amerikane në Lindje të Mesme e Europë.
“Tani ki shumë jo veç të Ferizajt, por edhe të vendeve tjera të Kosovës që po punojnë në kampet e amerikanëve në Poloni”, thekson Brahimi në autolarjen e Sojevës. “Ky kamp, përveçse një qendër strategjike e sigurisë në rajon, është edhe një mundësi për punësim dhe zhvillim ekonomik për banorët e zonës”, thekson kryetari Syla.
Ai ka thënë për Kallxo.com se bashkëpunimi i ndërsjellë ka krijuar një marrëdhënie respekti dhe mirëbesimi, duke rritur mundësitë për zhvillim ekonomik dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës
Para lapidarit për të birin e ndjerë të presidentit Biden, Milot Sojevës i del goxha shumë punë me një punëtorë shqiptar pas mbarimit të orarit të punës, pasi pa ofruar kurrfarë distinktivi a dokumenti identiteti, kërcënon se do ta njoftojë policinë ushtarake amerikane të kampit përballë pse ekipi i kallxo.com e fotografon Sojevën para lapidarit dhe tabelën e rrugës me emrin e “Beau” Bidenit.
Tre sojevasit e intervistuar thonë se prania amerikane nuk është vetëm simbol i mbështetjes për Kosovën, por edhe faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. “Edhe dashtë Zoti të zgjasë akoma më shumë dhe të rritet numri i ushtarëve akoma më shumë dhe t’i kemi këtu, jo me dekada, por me shekuj amerikanët”, thekson Sojeva. Ndalet pak dhe vazhdon: “Amerika, Kosova – një shtet”.