Behgjet Pacolli - Foto: REL/EPA-EFE

Edhe Afganistani bojkoton ceremoninë e Nobelit shkaku i mbështetësit të Millosheviqit

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka njoftuar se listës së vendeve që po e bojkotojnë ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për letërsi për shkrimtarin austriak, Peter Hendke, i është bashkuar edhe Afganistani.

Pacolli ka njoftuar se sonte ka marrë një telefonatë nga homologu i tij afgan, Idrees Zeman, i cili e ka njoftuar se ka udhëzuar ambasadorin e vendit të tij në Suedi që të bojkotojë ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel për letërsi shkrimtarit që mbështeti politikat gjenocidale të Sllobodan Millosheviqit.

Kështu, sipas Pacollit, Afganistani u bashkohet Kosovës, Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë e Maqedonisë së Veriut në bojkotimin e kësaj ceremonie, e cila zhvillohet nesër në Stokholm.

Pacolli: Kosova bojkoton ceremoninë e Nobelit, ta bëjë edhe Shqipëria

Ky është postimi i ministrit Behgjet Pacolli:

“Pas Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, sonte kam marrë një telefonatë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Afganistanit Idrees Zeman i cili më njoftoi se ai ka udhëzuar Ambasadorin e tyre në Suedi që të bojkotojnë ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel të Letërsisë për Peter Handke i cili mbështeti politikat gjenocidale të Millosheviqit.
Mirënjohës për miqtë tanë në Afganistan”.