Edhe Aeroporti i Prishtinës thotë se vizita e Abrashit ishte më 5 nëntor

Disa fotografi nga terreni të publikuara dje ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ku ai shihej së bashku me kolegun ministër, Agim Veliu dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili është kandidat i LDK-së për kryetar të kësaj komune, ngjallën shumë reagime.

Më 18 nëntor, Abrashi e kishte bërë një njoftim në Facebook se është pozitiv me COVID-19. Por, më 27, ai ishte në terren, vetëm 10 ditë pasi njoftoi se ishte infektuar. Kjo bie ndesh me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë i cili parasheh të paktën dy javë izolim.

Por, pasi mediat raportuan se ai kishte thyer izolimin, Abrashi duke iu përgjigjur një komentuesit në Facebook, tha se në izolim ishte nga data 9 nëntor.

Por, ndryshe nga Abrashi, tregonin dy njoftime të dy institucioneve. Ministria që drejton vetë Arban Abrashi kishte njoftuar opinionin publik më 10 nëntor se ministri bashkë me drejtorin e Aviacionit Civil të Kosovës kanë vizituar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Njëjtë, sikur ministria, njoftoi edhe institucioni i Aviacionit Civil. Madje, AACK specifikonte në njoftim se vizita kishte ndodhur “sot”, pra më 10 nëntor.

Por, një ditë pas raportimit, ka reaguar vetë Aviacioni Civil i Kosovës.

“Vizita ishte planifikuar shumë më herët dhe është realizuar më datën 5 nëntor 2020. Sidoqoftë, në bashkëpunim më Zyrën për Informim të Ministrisë se Infrastrukturës lajmi për vizitën nuk është publikuar atë ditë duke pas parasysh ngjarjet që ndodhën po atë ditë lidhur me gjykatën speciale dhe pritjen e fluturimeve speciale”, thuhej në reagimin e AACK-së.

Se, vizita e Abrashit ndodhi më 5 nëntor e kanë konfirmuar edhe nga Aeroporti i Prishtinës. Këtë për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësja për media, Valentina Gara.

“Ju njoftojmë se vizita zyrtare e Ministrit Arban Abrashi në ANP ‘Adem Jashari’, është bërë me datë 05 Nëntor 2020”, thuhet në përgjigjen e Aeroportit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, vetë Abrashi ka thënë se vizita e tij ishte bërë më 5 nëntor në Aeroportin e Prishtinës.

“Mund të konfirmoj se më 05.011.2020 kam qenë në vizitë në Aeroport bashkë me stafin tim dhe drejtorin e AAC-se, Bujar Ejupi. Kjo mund të konfirmohet lehtësisht edhe në Aeroport”, ka thënë Arban Abrashi.

Ministri Abrashi thotë se u izolua nga 9 nëntori, por demantohet nga ministria e tij dhe Aviacioni Civil

www.kallxo.com