Foto: REL/EPA-EFE

Edhe 6 të vdekur e 182 raste të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën, ka njoftuar për gjashtë viktima nga coronavirusi dhe 182 persona të infektuar.

Viktimat janë dy nga Shkupi, dy nga Kumanova dhe dy nga Tetova. Me këtë numri i përgjithshëm i të vdekurve nga sëmundja Covid-19, që e shkakton coronavirusi, ka arritur në 216.

Sa i përket të infektuarve, 107 janë nga Shkupi, 23 në Tetovë, 14 në Kumanovë, 13 në Resnje ndërsa në nëntë qytete numri i të prekurve është më u ulët se dhjetë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, momentalisht rreth 330 pacientë pozitivë me coronavirus, janë të shtrirë në të gjitha institucionet e shëndetit publik në Maqedoninë e Veriut.

“Vatra më e madhe në vend janë disa vendbanime të Shkupit. Po punohet intensivisht për të identifikuar kontaktet, por mjekët-epidemiologë po përballen me pengesat e zakonshme, pasi ka njerëz që nuk tregojnë kontaktet apo fshehin simptomat. Të gjitha qytetet dhe rajonet e tjera, përveç Shkupit dhe pjesërisht Tetovës, janë të qëndrueshme”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë 24 orëve janë testuar 1,348 mostra, ndërsa numri i përgjithshëm i testeve ka arritur në 47,793.

Nga 4,664 të diagnostikuar me coronavirus, 2,612 ende janë aktivë, 216 kanë vdekur ndërsa 1,836 pacientë janë shëruar./REL