Edhe 504 vendvotime presin rinumërimin

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve sot janë rinumëruar 63 vendvotimeve, duke bërë që numri i përgjithshëm i vendvotimeve të rinumëruara të arrijë në 903.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, mbesin të rinumërohen edhe 504 vendvotime ose 35.82%.

“Edhe 63 vendvotime të tjera janë rinumëruar gjatë ditës së sotme, deri në orën 16:00, sipas vendimit të PZAP-it. Pra, në total numri i vendvotimeve të rinumëruara është 903. Kanë mbetur edhe 504 vendvotime për t’u rinumëruar apo 35.82%”, ka thënë Elezaj.

Ky rinumërim ka nisur të mërkurën pasdite pas vendimit të Paneli për Ankesa dhe Parashtresa.

Ditë më parë, KQZ njoftoi se QNR ka shtuar numrin e tavolinave në të cilat bëhet rinumërimi i votave ndërsa, për këtë proces tha se janë njoftuar edhe partitë politike.

“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në 2 ndërrime si dhe është shtuar numri i tavolinave apo njësive të numërimit nga 23 në 32, në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt të përmbyllim të gjithë këtë proces. Për të vëzhguar procesin e rinumërimit janë njoftuar edhe subjektet politike, të cilat mund të dërgojnë nga 1 vëzhgues për secilën njësi numërimi”, pati thënë Elezi.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Por, një ankesë e koalicionit NISMA-AKR-PD në adresë të PZAP-së, ndërroi numrin e ulëseve të partive politike në Parlament, pasi vendimi i këtij institucioni obligoi KQZ-në që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare.

Ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë të LVV-së janë ankuar në Gjykatën Supreme e cila ka refuzuar.