Edhe 34 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se nga analizat e bëra sot janë shënuar edhe 34 raste me COVID-19, ndërsa janë shëruar 3 përsona nga ky virus.

Sot më 24 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 263 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e katër (34) raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, pesëmbëdhjetë (15) raste nga komuna e Gjilanit (sipas vendbanimit: shtatë (7) raste Gjilan, shtatë (7) raste Livoç i epërm dhe një (1) rast Kosaçë), gjashtë (6) raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit: pesë (5) raste Prizren dhe një (1) rast Gërnçar), pesë (5) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Mirash dhe një (1) rast Ferizaj), dy (2) raste me vendbanim në Rahovec, dy (2) raste nga komuna e Dragashit ( sipas vendbanimit një (1) rast Zaplluzhë dhe një (1) rast Plavë) dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Prishtinë, Skenderaj, Lladrovc-Malishevë dhe Zveçan.

Sot më 24 prill 2020, janë shëruar edhe tre (3) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e gjashtëdhjetë e dy (162) raste.

Nga data 08 shkurt deri më 24 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.890 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej shtatëqind e tre (703) raste, ndërsa gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.