Edhe 12 persona marrin pjesë si viktima në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në vendimin e gjyqtarit francez Nicollas Gillou, thuhet se ekzistojnë prova që personat kanë qenë viktimë e krimeve.

Të enjten e 26 majit, 12 persona të tjerë në cilësinë e viktimave janë pranuar nga Gjykata Speciale në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në vendimin e gjyqtarit francez Nicollas Gillou, thuhet se ekzistojnë prova që personat kanë qenë viktimë e krimeve.

Sipas vendimit të Gjykatës Speciale, “Gjyqtari i procedurës paraprake është i bindur se të gjithë aplikuesit për viktima, janë persona fizikë. Gjykatësi vlerëson se të gjithë aplikantët janë viktima të krimeve që pretendohet se janë kryer në lokacionet e identifikuara në aktakuzën e ndryshuar, dhe krimet e supozuara bien mbi fushëveprimin kohor të akuzave, ashtu siç edhe specifikohet në aktakuzën e ndryshuar në lidhje me lokacionet”.

Këto viktima, sipas gjyqtarit të procedurës paraprake, janë viktima direkte ose indirekte të krimeve që pretendohet se janë kryer në kohën e luftës dhe që përfshihen në aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ndërsa, identiteti dhe as etnia e viktimave nuk janë bërë publike.

Në vendim ata përmenden me shifra, derisa aty thuhet se viktimat do të përfshihen në grupin e viktimave të pranuara më herët.

“Viktima 21/06 është viktimë e drejtpërdrejtë e persekutimit, burgimit/arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm arbitrar, akteve të tjera çnjerëzore, trajtimit mizor dhe torturës, që pretendohet se janë kryer në [REDAKTUAR]”. Viktima pretendon gjithashtu se është viktimë e krimeve të kryera të dyshuara në vitin 2004, por gjyqtari i procedurës paraprake kujton se krime të tilla nuk bien në sferën kohore të akuzave ose në juridiksionin e përkohshëm të Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendimin e Gjykatës Speciale.

Dokumenti përmend edhe një rast, por i cili sipas gjyqtarit, nuk është pjesë e aktakuzës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake vëren se edhe viktimat 44/6, 45/6, 46/6 dhe 47/6 pohojnë se nuk dihet fati i familjarit të tyre. Në lidhje me këtë, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se anëtari i familjes nuk është në mesin e viktimave të vrasjes ose zhdukjes me forcë të përmendur në aktakuzën e ndryshuar dhe për rrjedhojë, vrasja dhe/ose zhdukja e pretenduar e anëtarit të familjes bie jashtë fushëveprimit të akuzës”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Mbajtjen e viktimave të pretenduara në kushte anonimiteti e ka kundërshtuar mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Sipas saj, kjo nuk mbështetet në rregullore ose ligj dhe ndër të tjera shkel të drejtat themelore kushtetuese dhe ndërkombëtare të njeriut.

Por, me këtë vlerësim nuk pajtohet gjyqtari Guillou.

“Mbrojtja e Veselit duket se e ngatërron statusin e viktimës me atë të dëshmitarëve. Gjyqtari thekson se qëllimi i pjesëmarrjes së viktimave është që ata të përfaqësojnë interesin e tyre personal, dhe këtu ekziston një dallim mes viktimave dhe dëshmitarëve”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Mbajtjen anonime të viktimave, Gjykata e arsyeton me traumat fizike dhe mendore që thotë se ata vuajnë për shkak të krimeve që pretendohet se kanë ndodhur.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së akoma nuk ka nisur, ndërsa rasti ndaj tyre gjendet në procedurën paraprake./PortaliD