"EdGuard": Qeveria duhet të shtojë kapacitetet, jo të mbyllë shkollat e çerdhet

Organizata që merret me çështje të arsimit, “Instituti EdGuard”, ka reaguar pas vendimit të fundit Qeverisë për shtyrje të fillimit të procesit mësimor dhe ndërprerjen e vijushmërisë së parashkollorëve.

“EdGuard” vlerëson që vendimet si ky i Qeverisë, kanë nevojë të argumentohen mirë dhe sipas tyre reagimi duhet të jetë në rritje të kapaciteteve shkollore dhe jo mbyllje.

“Cili është niveli i infeksionit tek fëmijët?; cili është niveli i fatalitetit nga virusi mes fëmijëve?; cili është niveli i transmetimit të virusit në komunitetin e shkollës?! Nëse shqetësimi institucional është në mungesë të kapaciteteve spitalore, atëherë reagimi duhet të jetë në rritje të kapaciteteve, jo në mbyllje të shkollave”, thuhet në reagim.

“EdGuard” shton se moskomunikimi i hapur me komunitetin e shkollës, është duke shkaktuar hamendësim dhe shqetësim që lehtë mund të kthehet në hezitim për rikthim.

“Rekomandimet e organizatave ndërkombëtare të shëndetit publik si “ËHO”, “CDC”, dhe “ECDC” promovojnë rikthimin në shkolla – në linjë me këtë vlerësojmë që duhet të jenë edhe vendimet e Qeverisë”, thuhet më tej.

Drejtuesit e kësaj organizate kanë kërkuar që përkushtimi institucional të jetë mësimi në shkolla.

“Evidenca është e qartë, periudha jashtë shkollës për nxënës ka ndikim signifikant në arritjet në mësim; shëndetin mendor dhe fizik. Ende nuk ka dëshmi që rreziku nga virusi për fëmijë në shkollë është më i madh sesa dëmi afatgjatë nga mos prezenca në shkollë”, thuhet në fund të reagimit.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka vendosur që të shtyjë procesin e fillimit të vitit të ri shkollor deri më 26 shtator, ndërsa ka mbyllur edhe çerdhet.

Viti i ri shkollor ishte planifikuar të fillojë më 1 shtator, por pas rritjeve të rasteve me COVID-19, ishte shtyrë për 13 shtator e më pas me një vendim të ri, është rishtyrë deri më 26 shtator.

Mbyllen edhe çerdhet, zv.ministrja tregon pse nuk po zhvillohet mësimi online