Muzeu Etnologjik. Foto: KALLXO.com.

"Ec ma ndryshe” publikon platformën online për Muzetë e Kosovës

Organizata “Ec ma ndryshe” ka lansuar platformën online për Muzetë e Kosovës.

“Ec ma ndryshe” ka njoftuar se në këtë platformë aktualisht ofrohen informata për Muzetë aktivë në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë – përfshirë llojin e Muzeut, artefaktet e ekspozuara, lokacionin, orarin e punës, kontaktet etj.

Përmes kësaj platforme, sipas “Ec ma ndryshe”, këto institucione do të jenë më të qasshme për qytetarët dhe turistët.

“Përmes kësaj platforme synohet promovimi i Muzeve të Kosovës, rritja e numrit të vizitorëve, orientimi më i lehtë i turistëve, sikurse edhe digjitalizimi i të dhënave të hulumtuara. ‘Ec ma ndryshe’ në mënyrë të vazhdueshme do ta pasurojë platformën me informata të duhura, për Muzetë në Kosovë.” – thuhet në njoftimin e datës 14.01.2025.

Kjo platformë është realizuar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni”, që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Linku i platformës: https://muzeu.info/