EastMed - Projekti i tubacionit që binte ndesh me gjeopolitikën dhe politikat e gjelbra

Bashkimi Evropian po shtrydhet nga çmimet rekord të gazit natyror dhe po i bën thirrje Rusisë që ti rrisë eksportet – por kjo nuk nënkupton se çdo projekt tubacioni është një shitje e lehtë.

Gazsjellësi EastMed – një projekt prej 6 miliardë eurosh që kishte për qëllim transportimin e gazit nga depozitat në det të Izraelit dhe Egjiptit përmes një tubacioni 1,250 kilometrash që kalon përmes Qipros dhe Greqisë në tregjet evropiane – është praktikisht t i vdekur pasi që SHBA u tërhoq nga mbështetja për të.

Problemi qëndronte aty se ky projekt do ta përjashtonte Turqinë – rruga më e dukshme për një tubacion mesdhetar – dhe është gjithashtu një shitje gjithnjë e më e vështirë në një kohë kur BE synon të bëhet neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050.

Në një letër dërguar Greqisë në fillim të këtij muaji, Uashingtoni përmendi arsyet mjedisore lidhur vendimin e tij për të mos mbështetur edhe më tutje projektet energjetike që nuk janë të gjelbra, mungesën e qëndrueshmërisë ekonomike dhe tregtare të projektit, por edhe faktin që projekti në fjalë krijon tensione në rajon, sipas zyrtarëve.

“Ne mbetemi të përkushtuar për ta ndërlidhur fizikisht energjinë EastMed me Evropën,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke shtuar se SHBA po e zhvendos fokusin e saj tek ndërlidhësit e energjisë elektrike që mund ta mbështesin si gazin ashtu edhe burimet e rinovueshme të energjisë, sikurse një lidhje elektrike midis Greqisë dhe Egjiptit.

Tubacioni ishte i ndërlidhur me tensionet e gjata midis Qipros, Greqisë dhe Turqisë mbi kufijtë detarë dhe kërkimin për naftë dhe gaz në det të hapur; Turqia ka provokuar Qipron dhe BE-në duke bërë shpime në kërkim të gazit rreth Qipros në zonat që ajo pretendon se i përkasin ose turqve qipriotë ose parvazit kontinental të Turqisë dhe gjithashtu nënshkroi një marrëveshje kufizimi me Libinë, të cilën Greqia dhe Qiproja e konsiderojnë një rrëmbim deti.

Projekti u mbështet nga administrata Trump dhe ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu – por tabi sikurse  SHBA ashtu edhe Izraeli i kanë qeveritë e reja të cilat janë më pak entuziaste për këtë ide.

“Fundi i gazsjellësit EastMed do ta largojë një shkak kryesor që ndërlidhet me tensionet në rajon, pasi do të ketë një zonë më pak ku Turqia ndihet e mbyllur nga zhvillimet rajonale,” tha Emre Peker, ekspert i Turqisë dhe BE-së në kompaninë e analizave mbi rrezikun Eurasia Group.

“Ndërsa lidhja e gazit ishte gjithmonë më shumë një ëndërr e tubacionit politik sesa një projekt realist, ajo megjithatë kontribuoi në destabilitet duke provokuar zemërimin e Ankarasë. Pa të, Ankaraja do të jetë më e prirur ta ruajë depërshkallëzimin jostabil në rajon,” tha ai.

Tërheqja e tubacionit po mirëpritet nga Ankaraja.

“Nëse [gazi izraelit] do të sillet në Evropë, kjo mund të bëhet vetëm përmes Turqisë,” u tha gazetarëve presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, sipas një transkripti të lëshuar nga presidenca turke të martën. “A ka ndonjë shpresë tani për tani? Mund të ulemi dhe të flasim për kushtet”.

Faiz Sucuoğlu, kryeministri i turqve qipriotë të shkëputur në veri të ishullit, e quajti projektin “marrëzi” dhe e përshëndeti dështimin e tij.

Tubacioni u mbështet gjerësisht nga të gjitha grupimet politike në Greqi dhe ndryshimi i politikës së SHBA-së shihet si një shpërblim për pozicionin e ashpër të Turqisë. Kjo vjen gjithashtu pasi Uashingtoni po përpiqet t’i përmirësojë marrëdhëniet me Ankaranë falë tensioneve në rritje me Rusinë.

“Nga këndvështrimi i Turqisë, është shumë e arsyeshme të besohet se është një fitore diplomatike, e arritur duke përdorur metoda që të gjithë lojtarët rajonalë dhe të tjerë i dënuan,” tha Constantinos Filis, drejtor i institutit të çështjeve globale dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Kolegjin Amerikan të Greqisë. “Ajo që është më shqetësuese është se Turqia mund të kuptojë se ajo që SHBA-të po thonë në mënyrë efektive është se ju mund të destabilizoni zonën dhe të fajësoheni për këtë, por në fund të ditës ne e marrim këtë parasysh dhe marrim një vendim që ju kënaq pastaj.”

Edhe në Qipro, në rajonin e nxehtë të konfrontimeve me Turqinë, vendimi amerikan u prit me sinjale të përziera.

Ministri i Jashtëm i sapoemëruar Ioannis Kasoulides tha për radion lokale se ai “e ka konsideruar gjithmonë EastMed si një mjet për krijimin e problemeve”.

Mirëpo presidenti qipriot Nicos Anastasiades tha se këto ishin pikëpamjet personale të Kasoulides. “Është e trishtueshme që disa njerëz janë të lumtur sepse ekzekutimi i projektit supozohet se është anuluar”, tha Anastasiades përmes një deklarate me shkrim.

Tubacioni EastMed u vendos të ishte një nga tubacionet nënujore më të gjata dhe më të thella në botë, i aftë për të transportuar midis 9 dhe 12 miliardë metra kub gaz natyror në vit – rreth 10 për qind të furnizimit të Evropës, gjë që do të ndihmonte në reduktimin e varësisë së BE-së nga Gazi rus.

Por ky projekt është shoqëruar me komplikime që nga fillimi, duke ngritur dyshime nëse kishte kuptim financiar dhe teknik. Italia, ku duhej të zbriste gazsjellësi, nuk ishte kurrë zyrtarisht pjesë e saj.

Vitin e kaluar, zyrtarë nga Izraeli dhe Greqia thanë se po i peshonin planet për t’i dhënë një drejtim tjetër tubacionit EastMed për ta anashkaluar Qipron dhe për të kaluar nëpër Egjipt. Egjipti dhe Izraeli gjithashtu nënshkruan një marrëveshje për transportin e gazit izraelit, i cili e minoi çështjen për EastMed.

“Ndërtimi ose jo i gazsjellësit EastMed nuk ndikon në transportin e rezervave të gazit në Evropë, sepse opsioni i Egjiptit duket më efikas dhe më i implementueshëm,” tha George Tzogopoulos, studiues i lartë në Institutin Francez, Qendra Ndërkombëtare për Studime Evropiane./Politic