
Hashim Thaçi - Foto: Denis Sllovinja | KALLXO.com
E vizitoi babanë e sëmurë, Hashim Thaçi kthehet në Hagë
Pas të paktën dy kërkesave të refuzuara, Gjykata Speciale ia ka mundësuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ta vizitojë babanë e tij, i cili është i sëmurë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 13.02.2025 nën masa të rrepta sigurie qëndroi në Kosovë për disa orë.
Hashim Thaçi u pa duke hyrë në Klinikën Interne rreth orës 11:00 dhe pas gati 3 orësh qëndrim, u largua i shoqëruar nga Policia e EULEX-it, e asistuar edhe nga Policia e Kosovës.
Gjatë largimit, ai përshëndeti me dorë qytetarët të cilët ndodheshin në oborr të QKUK-së e që brohorisnin “UÇK”.
Vizita kishte karakter humanitar konfirmoi Gjykata Speciale.
Ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, bashkë me tre ish-bashkëluftëtarët e tij, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Xhek Smith, i ngarkoi Thaçin, Selimin, Krasniqin e Veselin.
Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.
Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërsië. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.
Procesi gjyqësor ndaj katërshës së UÇK-së është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të fundit të Prokurorisë. Procesi i paraqitjes së dëshmitarëve nga Prokuroria pritet të përfundojë në prill.