Prekazi: Foto/Facebook

“E vërteta mësohet në Prekaz”

Vizitat e qytetarëve të etnisë serbe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz do të duhej të shiheshin si diçka pozitive, sepse aty mund të mësohet e vërteta e asaj që ka ndodhur në Kosovë, thotë Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë.

Vizitat e natyrës akademike dhe hulumtuese të studentëve serbë në këtë memorial, nuk do të duhej të pengoheshin, vlerëson edhe Ismail Hasani, profesor i Sociologjisë.

Por, ndryshe nga ta, zyrtarë të Skenderajt – komunës ku ndodhet fshati Prekaz – dhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thonë se vizitat e serbëve atje do të krijonin situata të ndjeshme.

Kompleksi “Adem Jashari” është monument i trashëgimisë kulturore, i cili përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur forcat e regjimit të presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq, vranë 20 anëtarë të familjes së ngushtë të Adem Jasharit dhe mbi 30 kushërinj dhe të afërm të tij.

Shkas për debatin rreth vizitave të serbëve atje u bë një vizitë e dështuar e rreth 60 studentëve, që po marrin pjesë në Akademinë Verore Ndërkombëtare në Prishtinë.

Rrugëtimi i tyre drejt këtij memoriali, më 17 korrik, u pengua nga një grup i tifozëve të Klubit të Futbollit “Drenica”, i quajtur “Shqiponjat e Zeza”, me pretendimet se në mesin e studentëve ka edhe serbë. Tifozëve iu bashkuan edhe disa pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së të Komunës së Skenderajt.

Pavarësisht pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes, autobusi me studentë u detyrua të ndërpresë udhëtimin për në Prekaz dhe të kthehet për Prishtinë.

Labinot Hajdari, nga Akademia Verore Ndërkombëtare, tha në një shkrim në Facebook, më 17 korrik, se në grupin që udhëtonte për në Prekaz, “të gjithë ishin ndërkombëtarë”. Sipas tij, vizita e tyre u anulua “për të mos provokuar situatën”.

Nura: Vizita që krijojnë situata të ndjeshme

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, thotë se institucionet e rendit dhe të sigurisë janë marrë me rastin e kundërshtimit të manifestuar në rrugë nga ana e tifozëve “Shqiponjat e Zeza”.

“Se a e kanë paralajmëruar ose jo atë protestë ata djem të rinj, nuk e di. Aty kanë qenë edhe disa asamblistë. Kam pasur komunikim me komandantin e stacionit policor [në Skenderaj]. Ia kam konfirmuar se ata mund [të protestojnë] në emër të vetin, por nuk mund të thirren as në emër të komunës, e as në emër të subjektit [politik] për protesta të tilla. Kështu që ne, si komunë, nuk jemi marrë fare me këtë rast”, thotë Nura për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se nuk është kundër vizitave eventuale të studentëve serbë në memorialin “Adem Jashari”, por, sipas tij, duhen krijuar rrethanat për vizita të tilla.

Situata të ngjashme në botë ka, thotë Nura.

“…por, ka kaluar një kohë derisa është arritur paqja dhe pastaj vizitat janë bërë krejtësisht normale”, thekson ai.

“Përderisa ka ende plagë të pambyllura në këtë vend, fatkeqësisht… Unë nuk e kundërshtoj vizitën e kujtdo qoftë… Por, është pak e ndjeshme”, shton Nura.

Lati: Serbët duhet të kërkojnë falje, studentët nuk kanë faj

Emin Lati, përfaqësues i organizatës së veteranëve të UÇK-së në Skenderaj, thotë se ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, kur “Shqiponjat e Zeza” kanë bllokuar rrugën e studentëve për në Prekaz.

“Serbët, pa kërkuar falje – është mendimi im – nuk është mirë të vijnë… Tash, të vijnë fëmijët e tyre dhe t’i vizitojnë vendet ku paraardhësit e tyre i kanë kryer krimet, kjo nuk është në rregull. Të paktën, jo pa kërkuar falje moralisht. Studentët nuk kanë faj. Ata janë djem të rinj dhe vajza të reja që nuk kanë faj. Ata, mbase, as që kanë qenë të lindur në atë kohë”, thotë Lati për Radion Evropa e Lirë.

Policia nuk jep sqarime

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut, e cila mbulon edhe Komunën e Skenderajt, me pyetjen se a ka qenë e paralajmëruar protesta e tifozëve “Shqiponjat e Zeza”.

Zëdhënësja e kësaj policie, Fexhrije Pllana, tha se ajo nuk ka qenë protestë dhe se policia e ka versionin e saj zyrtar.

Megjithatë, Pllana e ndërpreu lidhjen telefonike, pa sqaruar se cili është versioni zyrtar i policisë lidhur me rastin. Më pas, ajo nuk ishte e qasshme.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua edhe Qeverisë së Kosovës me pyetjen nëse një vizitë eventuale e serbëve, si individë ose në grupe të organizuara, në Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz mund të shihet si problematike, por deri në publikimin e këtij teksti ajo nuk ktheu përgjigje.

Me gjithë përpjekjet, REL nuk arriti të bjerë në kontakt as me pjesëtarët e grupit të tifozëve “Shqiponjat e Zeza”.

Jo rrallë, në universitetet e ndryshme verore që organizohen në Kosovë, marrin pjesë studentë nga Serbia.

Të tillë ka edhe sivjet në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës. Ky universitet ka planifikuar vizitë në memorialin në Prekaz më 16 korrik, por ajo nuk është realizuar. Nga universiteti nuk kanë dhënë detaje se përse dhe nëse një e tillë do të realizohet në ditët e ardhshme.

Blakaj: Serbët duhet ta dëgjojnë të vërtetën

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, thotë se për shumicën e viktimave të luftës në Kosovë nuk është vendosur drejtësi.

Sipas tij, nuk ka as pranim zyrtar të së vërtetës nga ana e shtetit të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë.

Por, pavarësisht kësaj, thotë Blakaj, vizitat e cilitdo komunitet të Kosovës në vendet ku kanë ndodhur krimet, në parim, nuk do të duhej të ishin problematike.

“Përkundrazi, kjo do të duhej të shihej si diçka pozitive, sepse jam i sigurt që ata të rinj do ta dëgjonin të vërtetën aty dhe pastaj do të bashkëndjenin me viktimat. Pastaj, të vërtetën do ta përcillnin më tutje edhe te familjet e tyre, te shoqëria dhe kështu me radhë”, thotë Blakaj për Radion Evropa e Lirë.

Hasani: Vizitat akademike dhe të punës nuk duhen ndaluar

Sociologu Ismajl Hasani thotë se ndalimi i vizitave të studentëve të cilësdo etni apo cilitdo komunitet në Memorialin “Adem Jashari” është krejtësisht i paarsyeshëm.

“Nuk mendoj se është e drejtë ndalesa e realizimit të një aktiviteti, i cili ka qenë plotësisht akademik. Vizita në Memorialin ‘Adem Jashari’ në Prekaz, në këtë formë, pra, me karakter pune, jo vetëm që nuk duhet ndaluar, por është e mirëseardhur”, thotë Hasani.

Sa u përket vizitave individuale të serbëve, shton ai, ato jo vetëm që janë të hershme, por janë edhe të pamundura.

“…për faktin se aty ka ndodhur një tragjedi e përmasave të papara në historinë e njerëzimit. Do të thotë, është zhdukur gati se tërësisht një familje”, thotë Hasani.

Në këtë kontekst, ai veçon individët e nacionalitetit serb, që vijnë nga hapësira jashtë Kosovës.

“Ndërsa, ata [serbë] që jetojnë në Kosovë, që e pranojnë shtetin e Kosovës dhe që nuk i kanë duart e lara me gjak, mund ta vizitojnë memorialin në Prekaz, qoftë për kureshtje, qoftë për ta bindur veten se çfarë ka bërë regjimi i Millosheviqit”, thotë Hasani.

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, pjesëtar i familjes për të cilën është ngritur memoriali, tha se e kupton reagimin e “Shqiponjave të Zeza”, por, në një postim në Facebook, ai shprehu shqetësim për pamjet ku, siç tha, “shihet se janë penguar për të vizituar Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ disa studentë ndërkombëtarë, mysafirë në Kosovë”.

Ai tha se “aksioni” i tifozëve, përveçse “është në kundërshtim me traditën shqiptare në raport me mysafirin, bie ndesh edhe me qëndrimet tona si familje”.

Kosova ka dalë nga lufta e viteve 1998/99 me mbi 13.000 njerëz të vrarë e mijëra të zhdukur.

Edhe 23 vjet pas luftës nuk dihet ende për fatin e mbi 1.600 personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Udhëheqësit e Kosovës vazhdimisht përsërisim se e ardhmja nuk mund të ndërtohet duke mohuar krimet e së kaluarës, ndërsa i bëjnë thirrje Serbisë që të pranojë përgjegjësinë dhe të kërkojë falje për krimet e luftës.

Zyrtarët në Serbi shpesh i mohojnë krimet e forcave serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë./REL