Milena Ivanoviq Popoviq, bashkëshortja e politikanit të vrarë Oliver Ivanoviq. Foto: Stefan Milivojeviq

E veja e Oliver Ivanoviqit mund të dëshmojë në padinë e Milan Radojiçiqit ndaj Rada Trajkoviqit

Bashkëshortja e politikanit serb të Kosovës të vrarë Oliver Ivanoviq mund të thirret të dëshmojë në një rast shpifjeje të nisur nga biznesmeni Milan Radojiçiq, i cili po përpiqet të hedhë poshtë pretendimet se ai ishte i përfshirë në vrasje.

 

Milena Ivanoviq Popoviq, e veja e Oliver Ivanoviqit, u propozua të mërkurën si dëshmitare në një rast shpifjeje të nisur nga biznesmeni Milan Radojiçiq, i cili është akuzuar për drejtimin e një organizate kriminale që vrau Ivanoviqin.

Radojiçiq, nënkryetari i partisë kryesore politike serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, është një biznesmen i cili shihet gjerësisht si mbajtësi i vërtetë i pushtetit në shumicën serbe të veriut të Kosovës.

Radojiçiq po padit Rada Trajkoviqin, një tjetër politikane serbe të Kosovës dhe një ish-ministre në qeverinë serbe, për dëmtim të nderit dhe reputacionit të tij, sepse ajo e lidhi atë publikisht me vrasjen e Ivanoviqit. Çështja do të dëgjohet në Gjykatën e Lartë në Beograd në shtator të këtij viti.

Përfaqësuesi ligjor i Radojiçiqit e paraqiti propozimin në një seancë përgatitore në gjykatën e Beogradit të mërkurën.

Por Ivanoviq Popoviq tha për faqen e lajmeve Kossev se ajo nuk di asgjë rreth propozimit.

“Nuk i kam këto informacione. Kur të informohem, do të vendos. Por, për momentin, nuk i kam këto informacione, tani e dëgjoj për herë të parë”, tha ajo.

Përfaqësuesi ligjor i Radojiçiqit gjithashtu propozoi Goran Rakiqin, kryetarin e Listës Serbe, si dëshmitar.

Ivanoviq, drejtuesi i partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, u qëllua për vdekje para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë në veri të Kosovës më 16 janar 2018.

Sipas një aktakuze të ngritur  në Kosovë, Milan Radojiçiq dhe një serb tjetër i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, ishin udhëheqësit e një grupi të organizuar kriminal përgjegjës për vdekjen e Ivanoviqit.

Ata të dy janë larguar për në Serbi për të shmangur arrestimin dhe i kanë mohuar këto akuza.

Dikur i konsideruar si një nacionalist i ashpër, Ivanoviq kishte evoluar në një politikan të moderuar që mbronte bashkëjetesën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare.

Ai gjithashtu ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë së Beogradit.

Në kohën e vdekjes, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai kishte pretenduar pafajësi.