Masakra e Reçakut - E ndëshkuar verbalisht, por jo edhe ligjërisht

23 vite që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, por përkundër kohës së gjatë që ka kaluar, deri më tani asnjë person nuk është gjetur përgjegjës për këtë krim makabër mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.

Njeriu i parë i cili e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, kishte qenë kreu i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker.

Walker kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat dhe i njëjti e kishte alarmuar botën për krimin që po ndodhte mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Ndonëse tashmë kanë kaluar 23 vite që prej kryerjes së këtij krimi, përpos dokumentimit që i është bërë këtij krimi, asnjë person nuk është gjetur përgjegjës a ndëshkuar për këtë krim.

Hetimet për masakrën e Reçakut i ka marrë përsipër Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës, hetimin për masakrën e Reçakut e ka filluar pas pranimit të kompetencave për rastet e Krimeve të Luftës nga Prokuroria e EULEX-it.

Mirëpo deri më tani sipas informacioneve që KALLXO.com posedon, rasti është ende duke u hetuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës nga Policia e Kosovës dhe deri më tani nuk është ngritur asnjë aktakuzë ndaj personave që dyshohet se kanë kryer këtë krim.

Në një prononcim për KALLXO.com, prokurorja speciale Drita Hajdari kishte deklaruar se duke marrë parasysh se është fjala për një prej masakrave më të mëdha që kanë ndodhur në Kosovë, sipas prokurores ky hetim kërkon kohë dhe angazhim.

Prokuroria kishte deklaruar se përpos që po i hetohen të dyshuarit dhe kryerësit e drejtpërdrejt të kësaj masakre, po hetohet dhe po analizohet edhe përgjegjësia komanduese për masakrën e Reçakut.

Hajdari kishte bërë të ditur se përpos dëshmitarëve dhe informatave që tashmë i posedon Prokuroria Speciale, po shfrytëzohen edhe burime tjera të informacionit dhe dosje edhe jashtë Republikës së Kosovës.

“Jemi duke analizuar edhe dosjet nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë dhe nga aty jemi duke marrë informata të rëndësishme për këtë rast”, kishte deklaruar prokurorja Hajdari.

Përpos faktit që ky krim makabër deri më tani ka mbetur i pa ndëshkuar ligjërisht, shumë herë ka pasur tendenca për mohimin e masakrës, dhe atë jo vetëm nga zyrtarë të institucioneve të Serbisë, mirëpo dhe nga zyrtarë serb që kanë shërbyer në institucionet e Kosovës.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq u dënua nga Gjykata e Prishtinës më 5 dhjetor 2019 për një deklaratë të dhënë në vitin 2018 me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Mirëpo në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Supreme ka prishur aktgjykimin dënues ndaj Ivan Todosijeviqit, për mohimin e masakrës së Reçakut.

Më kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ka arritur të prishë dënimin prej 2 viteve burgim për veprën penale nxitje të urrejtjes.

Gjykata Supreme pasi ka anuluar aktgjykimin dënues dhe ka vendosur që lëndën ta kthejë në rigjykim.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë, Todosijeviq në cilësi të ministrit, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin e kishte quajtur shpikje, falsifikim dhe gënjeshtër masakrën e Reçakut.

Këtë deklaratë Vulin e kishte bërë gjatë një vizite në një lokacion afër Nishit, ku po bëheshin xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak.

“Reçaku është një gënjeshtër e madhe, një falsifikim i tmerrshëm, një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin dhe për të gjithë ata që e thanë këtë gënjeshtër, por Reçaku është gjithashtu mundësia jonë për të treguar se sa padrejtësisht jemi shkatërruar, vrarë, sa shumë jemi ndëshkuar për të tjerëve”, kishte Vulin.

Menjëherë pas kësaj deklarate, pati reagime të shumta nga akterë ndërkombëtar dhe vendor.

Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.

Këto komente ai i bëri pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Alleksandar Vullin e quajti “gënjeshtër të madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm” vrasjen e civilëve shqiptarë në Reçak.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, kishte thënë Stano.

Lidhur me mohimin e masakrës së Reçakut, kishte reaguar edhe ish-diplomati amerikan Walker.

Ish-diplomati amerikan, William Walker, tha se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë. Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Walker kishte thënë  se masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, thotë Walker.

Walker ishte personi i parë që vizitoi Reçakun, në ditën kur ndodhi masakra në këtë fshat.

Asokohe, Walker ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas deklaratave të Aleksandër Vullinit.

Presidentja Osmani kishte deklaruar se është i pa arritshëm ndryshimi i fakteve historike.

“Ish zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme”, ka thënë Presidentja Osmani në një deklaratë për media.

Krimi që ka ndodhur në  Reçak sipas Osmanit është i njohur botërisht.

“Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, ishte shprehur Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte konsideruar masakrën e Reçakut, masakrën më të dhimbshme të njerëzimit në historinë e Kosovës. Kurti kishte deklaruar se është obligim i institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë që të gjithë ata që urdhëruan dhe kryen këtë masakër të dënohen.

Drejtësinë e mohuar Kurti e kishte quajtur krim të vazhdueshëm ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

Duke pasur parasysh faktin që tashmë kanë kaluar shumë vite që nga lufta e fundit në Kosovë konsiderojmë që ekziston rreziku i pamundësisë së faktimit të krimeve për shkak të vdekjes së dëshmitarëve okularë.

Prandaj, për t’i kontribuar ruajtjes së dëshmive të dëshmitarëve okularë, KALLXO.com ka publikuar edhe emisione me rrëfime të dëshmitarëve okularë.

Më pas Zyra Ligjore e KALLXO.com këto informacione i ka dërguar Prokurorisë Speciale, nga të cilët është kërkuar fillimi i menjëhershëm i hetimeve dhe zbardhja sa më e shpejtë e rastit.

Pas raportimit dhe informacionit nga KALLXO.com Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte njoftuar zyrën ligjore të BIRN-it se tashmë kishin filluar hetimin e këtyre rasteve.

Dokumentari “Heshtja dhe Amnistia e Prokurorisë” flet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ku dëshmitarët rrëfejnë tmerrin e asaj kohe dhe mënyrën se si shpëtuan dhe si i panë nga afër ekzekutimet e viktimave civile shqiptare.

Dokumentari i KALLXO.com shpërfaq dëshmitë e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të masakrave të Poklekut, Studimes, Rezallës, Izbicës, Krushës së Vogël, Gjakovës, Abrisë dhe Tërrnjes.

Dokumentarin e plotë për masakrat në Kosovë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.