E rrahu, kërcënoi dhe e përcolli me telefon gruan, gjykata vendos për burrin e akuzuar

A. D. nga Rahoveci, u dënua me 6 muaj e 600 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjakovë, për keqtrajtim fizik e psikologjik, kanosje e kontrollim të lëvizjes së bashkëshortes së tij F. D. përreth 2 vjet.

Ai është shpallur fajtor për dhunë në familje në vazhdimësi ndaj bashkëshortes së tij F. D. që nga nëntori i vitit 2020 deri në korrik të 2022-tës.

Në dënim A. D.-së do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Dhuna në familje sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vjet.

Në vendimin e shpallur më 19 shtator thuhet se i akuzuari pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit, ai po ashtu ia ka kufizuar lirinë e lëvizjes, duke e kontrolluar përmes aplikacionit “Find my Iphone”.

Në aktgjykim thuhet se i pandehuri ka kanosur të dëmtuarën përmes rrjetit social “Viber”, duke i shkruar se “do të vij për ditëlindjen tënde dhe do t’i vras dy vëllezërit e tu dhe babin tënd, do të vij me 20 veta”.

Ai gjithashtu thuhet se e ka ofenduar të dëmtuarën me fjalë të ndyra, me ç’rast ka shkaktuar te ajo frikë dhe shqetësim.

Me këtë vendim është shprehur i pakënaqur vëllai i të dëmtuarës, L. H. pasi që sipas tij është dënim i ulët për një vepër që është bërë për gjatë 2 viteve.

Lidhur me lartësinë e dënimit ai tha se do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Ankesë ka thënë se do të bëjë edhe avokati i të akuzuarit, Prek Kola, i cili për KALLXO.com tha se dënimin e cilëson të lartë “për një fjalë goje”.