E quan Kusari Lilën 'mish i huaj në LVV', por Memli Krasniqi mohon fyerjet ndaj deputetëve

Memli Krasniqi, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës ka reaguar ndaj U.D. kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari Lila, duke thënë se ajo ka shpifur ndaj tij, kur ka thënë se ka ofenduar atë dhe kolegët e saj.

“Mimoza Kusari-Lila, kjo zëdhënëse e përjetshme e pushtetit, duke u munduar që ta heqë vëmendjen prej tentimit të sotëm të grupit të saj për ta heshtur dhunshëm opozitën në Kuvend, e besa edhe për të na sulmuar fizikisht, paska shpifur kundër meje, se kinse e paskam ofenduar atë dhe kolegët e saj. Siç ndodh rëndom, të ligët kur s’kanë argumente, shpifin. Përveç nëse Mimoza ofendohet nga fjala ‘analfabet’. Nëse po, atëherë vërtet e paskam ‘ofenduar’ ministren Shwartz. Sepse, ajo është absolutisht analfabete funksionale në lëmin e diplomacisë, gjë që po e shpërfaq çdo ditë në mënyrën më të turpshme, duke e goditur çdo vlerë të popullit e të shtetit tonë, sikur të ishte ministre e Serbisë, e jo e Kosovës”, tha Krasniqi.

Krasniqi nuk është ndalur duke dhënë edhe klasifikime për Mimoza Kusari Lilën, të cilën e ka quajtur ‘mish i huaj në LVV’.

“Ndërsa, Mimozën, edhe pse më dhimbset pak, deri diku e kuptoj. Në LVV ajo është mish i huaj dhe po bën përpjekje titanike që të dëshmojë lojalitet e militantizëm, ani pse ende nuk ia kanë besuar as pozitën e shefes së Grupit Parlamentar, duke e mbajtur vetëm si ‘ushtruese të detyrës’ tash e gati dy muaj. Andaj, le ta ushtrojë këtë detyrë derisa ta kalojë provimin tek Albin Kurti, por mirë bën që të provojë ta ruajë dinjitetin e saj gjatë kësaj rruge”, tha Krasniqi.

Gjatë ditës së sotme, Kusari – Lila, tha se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës i kanë ofenduar.

Ajo ka përmendur Ardian Kastratin, Memli Krasniqin dhe Ableard Tahirin.

“Nuk mund t’i them para jush fjalët që Memli Krasniqi u ka drejtuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk janë fjalë që thuhet publikisht. Memli Krasniqi ka treguar që se s’ka as nivel minimal të mirësjelljes”, tha ajo.