E pranon fajësinë koka e sulmeve të 11 Shtatorit
Khalid Sheikh Mohammed, i akuzuar si koka e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, e ka pranuar fajësinë, ka bërë të ditur të enjten Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Zhvillimi heq dilemat e kahershme për sulmin që la të vdekur mijëra persona dhe ndryshoi rrjedhën e historisë politike të Shteteve të Bashkuara dhe të shumicës së Lindjes së Mesme, vlerëson agjencia amerikane e lajmeve, AP, teksa jep lajmin.
Mohammed dhe dy bashkëpunëtorë, Valid bin Attash dhe Mustafa al-Havsavi, pritet të apelojnë vendimet në Komisionin Ushtarak në Gjirin e Guantanamos në Kubë, në fillim të javës së ardhshme.
Avokatët e mbrojtjes kanë kërkuar që klientët e tyre të dënohen me dënim të përjetshëm në këmbim të pranimit të fajësisë, thuhet në letrat që qeveria federale amerikane i ka pranuar prej të afërmve të disa prej tre mijë të vdekurve në mëngjesin e 11 shtatorit, 2001.
Terry Strada, drejtues i grupit të familjeve të rreth tre mijë viktimave të sulmeve, ka thënë se kur mori vesh lajmin, mendja i shkoi te familjarët e viktimave që vdiqën duke pritur vënien e drejtësisë në vend.
“Ata ishin qyqarë kur e planifikuan sulmin”, ka thënë ajo për të akuzuarit. “Dhe qyqarë janë edhe sot”.
Zyrtarët e Pentagonit kanë refuzuar kërkesën e AP-së për të komentuar për kushtet e marrëveshjes për fajësinë.
Marrëveshja e SHBA-së me orkestruesit e sulmeve erdhi pas më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjetësh të nisjes së hetimit për sulmet e “Al-Qaedas”. Ujdia u arrit më shumë se njëzet vjet pasi militantët komanduan katër aeroplanë komercialë për t’i përdorur si raketa të mbushura me kerozinë, duke fluturuar me tre prej tyre drejt kullave binjake në Qendrën Tregtare Botërore në New York dhe në Pentagon.
Rrëmbyesit e “Al-Qaedas” e drejtuan aeroplanin e katërt drejt Uashingtonit. Por ekupiazhi dhe pasagjerët u munduan të dilnin nga kabina e aeroplanit dhe aeroplani në një fushë të Pennsylvanias.
Sulmi shkaktoi atë që presidenti i administratës së atëhershme, George W. Bush, e quajti lufta ndaj terrorit, duke shkaktuar ndërhyrjet amerikane në Afganistan dhe Irak, dhe vite të tëra të operacioneve amerikane kundër grupeve të armatosura ekstremiste në vendet tjera të Lindjes së Mesme./AP
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com