E pazakontë, gjykata trajton me urgjencë akuzën për patent shofer

Gjykata e Prishtinës mund të ketë thyer sot një rekord të shpejtësisë së trajtimit të rasteve të korrupsionit.

Një lëndë që ka të bëjë me keqpërdorim detyre dhe ryshfet për patentë shofer është dërguar në gjykatë vetëm katër ditë pas ngritjes së aktakuzës.

Aktakuza ndaj dy personave është ngritur me datën 7 tetor 2019, palët janë ftuar më 8 tetor për seancën e mbajtur sot më 11 tetor.

Në këtë rast është propozuar negocim për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë ndaj  të akuzuarve Gëzim Kryeziut dhe Ekrem Zhegrovës.

Në seancën fillestare  të udhëhequr nga gjykatësi i krimeve të rënda Isuf Makolli, ku pritej se të akuzuarit do të deklaroheshin rreth veprave me të cilat ngarkohen nga prokuroria u paraqit propozimi për të lidhur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

Këtë propozim e dha avokati Haxhi Millaku mbrojtës i të akuzuarit Gëzim Kryeziu.

Këtij propozimi i’u bashkangjit edhe avokati Naim Rudari, mbrojtës i të akuzuarit Ekrem Zhegrova.

Ndërsa prokurori i rastit Ibrahim Berisha tha se ‘’ ju pres në zyrën time, kjo është një e drejtë ekskluzive e të akuzuarve, dhe patjetër që shkon si në favor të gjykatës, prokurorisë ashtu edhe vet të akuzuarve’’

Gjykatësi i rastit Isuf Makolli, aprovoi propozimin e mbrojtësit Haxhi Millaku dhe seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar  me datën 15 nëntor  për të vendosur lidhur me pranimin ose refuzimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.

Aktakuza thotë se Gëzim Kryeziu me datën 18 shtator 2019 rreth orës 11, në cilësinë e personit zyrtar ekzaminer në Qendrën e Patentë Shoferit në Prishtinë, e shfrytëzon detyrën duke tejkaluar kompetencat e tij dhe sipas instruksioneve të Ekrem Zhegrovës  i ndihmon kandidates Shkurte Hashani  në dhënien e provimit teorik duke i’u afruar gjatë testit dhe duke i treguar me shkrim se cilat janë përgjigjet e sakta.

Ndërsa të akuzuarin Ekrem Zhegrova prokuroria e ngarkon se me datën e njëjtë rreth orës 10 derisa ishte duke punuar ne sektorin privat ‘’Money Gram’’ në afërsi të Qendrës së Patentëve në Prishtinë, takohet me  kandidaten Shkurte Hasani tani e dëmtuar nga e cila ka kërkuar shumën prej 500 euro dhe i ka marrë ato me qëllim që t’i ndihmojë ta kalojë provimin teorik për patentë shoferë.

Gjithnjë sipas aktakuzës,i akuzuari Zhegrova i kishtë thënë tani kandidates Shkurte Hashanit që deri sa të vinte ekzamineri pranë saj gjatë provimit të mos plotësonte asnjë pyetje.

E nga zbatimi i masave të fshehta, sipas prokurorisë,  është parë ekzamineri Gëzim Kryeziu duke i ndihmuar kandidatës Shkurte Hashanit për mbushjen e testit.