Prokuroria e Ferizajt

E paraqiti ish-të dashurën se ofronte shërbime seksuale me pagesë, Prokuroria kërkon paraburgimin e të dyshuarit

Prokuroria në Ferizaj i ka kërkuar Gjykatës caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj K.S., nga Peja i cili dyshohet se ngacmoi ish-të dashurën e tij.

I njëjti sipas Prokurorisë dyshohet se i ka vendosur ish-të dashurës në veturën e saj pajisje për përcjellje të vendndodhjes (GPS). Gjithashtu i dyshuari e ka paraqitur ish-të dashurën se ofronte shërbime seksuale me pagesë – duke ia publikuar të dhënat personale.

“Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, në Komunën e Shtimes, i pandehuri me dashje dhe në vazhdimësi është përfshirë në sjellje të vëmendjes së padëshirueshme, duke e vënë nën vëzhgim me qëllim të ngacmimit të dëmtuarën V.Z., me të cilën ka qenë në lidhje dashurie, në atë mënyrë që në veturën e saj personale ka vendosur dy GPS për përcjellje të vendndodhjes.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajit.

Po ashtu, i njëjti ka hapur llogari në rrjetin social Instagram, në emër të dëmtuarës – duke postuar fotografi të ndryshme me mbishkrime denigruese.

“…i ka hapur llogari në rrjetin social Instagram, në emër të të dëmtuarës, duke postuar fotografi të ndryshme, me mbishkrime denigruese dhe duke paraqitur se e njëjta ofron shërbime seksuale me pagesë; duke ia paraqitur edhe numrin e telefonit dhe adresën e banimit, e që si rrjedhojë e këtyre veprimeve të dëmtuarën e ka vënë nën shqetësim të madh emocional, me të cilën ka kryer veprën penale ‘ngacmimi’, nga Neni 182 Paragrafi 2, lidhur me Paragrafin 1 të KPRK-së.” – thuhet mes të tjerash në Dosjen e Prokurorisë.

I pandehuri K.S., që nga data 08.03.2025, me Vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale “ngacmimi”.