Salla e sporteve në Istog
E nisur para më shumë se 17 viteve, Salla e sporteve në Istog e mbyllur dhe e mbuluar me mbeturina
Salla e Sporteve në Komunën e Istogut ka më shumë se 17 vite që ka nisur të ndërtohet por e njëjta sot është e mbyllur me çelës dhe e mbuluar me mbeturina.
Në vitin 2020, ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi pati thënë se Salla e sporteve në Istog, e cila ishte nisur në vitin 2007, do të përfundojë në shtator të vitit 2020. Ky projekt i kushtonte ministrisë mbi 2.4 milionë euro.
Në mungesë të hapësirave adekuate për seanca stërvitore dhe gara të ndryshme në Istog, klubet sportive po shfrytëzojnë sallat e sporteve nëpër shkolla.
Rrahim Shatri, drejtori i Klubit të Basketbollit “Istogu” tha se situata në sallën sportive ka qenë vazhdimisht e rrezikshme dhe aktualisht janë duke u vonuar punimet.
“Në këtë sallë na ka ra një sezonë me e lujtë, edhe kur kemi lujtë ka qenë një gjendje kaotike, e rrezikshme, u pritë o tash, kulmi me ra po na ka pshtu zoti. Vitin e kaluar në Superligë kemi luajt si vendas nëpër vende të tjera, Pejë, Prizren, Mitrovicë asnjëherë skemi qenë si vendas. Edhe tash po fillojmë ligën e parë, punët kanë fillu në çati që njo 6-7 muaj me intensitet shumë të ngadalshëm nuk e di ku është problemi”- deklaroi Shatri.
Ai shpjegoi edhe se si për shkak të kushteve adekuate për ushtrime, ka pasur lojtarë që janë lënduar.
“Ne si klub dhe klubet e tjera qysh po mundemi me u gjind, jemi në mjerim, në gjendje shumë të mjerueshme. Klube ka mjaft, por Istogu është si zorrë qorre nuk ka kush m’i ra mbrapa. Ne e kemi për fat të mirë pak a shumë një sallë të një shkolle, standarde nuk i plotëson sepse nuk mundesh me zhvillu gara aty. Kemi pasë lëndime në stërvitje, një lojtar e ka thy këmbën sepse koshi ka qenë në muri por po na ruan Zoti ka pak”- shtoi tutje Shatri.
Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, tha se projekti ishte nisur në kohën kur babai i tij ishte në krye të Istogut më shumë se 20 vjet më parë.
“Këtë sallë e ka nisë baba jem, në 2003 me teprica buxhetore të projekteve që i kanë destinu në atë kohë Komisioni për buxhet e financa, pikë. Është e çuditshme që njerëzit që i trajton më se afërmi edhe tenton me jep maksimumin politik dhe personal me i shty përpara, këtu i kam tre drejtora që kur kanë lujtë Klubi i Basketbollit kanë hyp në kulm të palestrës me mbulu me najllon sepse kanë qenë kushtet e këqija atmosferike. Nuk e kanë pas obligim por pse e dojnë sportin”- tha Ilir Ferati.
Tutje Ferati tha se ky objekt duhet të renovohet.
“Komplet ai kulm është revidu, fuqia e tij statike se ka qenë jashtë standardeve, tash mbyllet me panel është i padepërtueshëm as për erë që në Istog shkon deri në 150 kilometra në orë. Për kulm për fasadë strukturore jashtë me 10 dhjetor. Nja 15 kërkesa që ndalen nga militantat e VV që ndalen në Ministri të Kulturës, i kam dorëzu në MKRS, për 500 mijë euro shtesë. 60 mijë i kam të mijat për nyje sanitare dhe banjo, për parket dhe pjesën tjetër të brendshme më vyjnë edhe 500 mijë euro për me funksionalozu”- shtoi ai.
Sipas Feratit tashmë është kontraktuar një kompani dhe pesë ekspertë që do të mbikëqyrin punimet në Sallën e sportit.
“Unë nuk mundem me diskutu që dikur një mbikëqyrës se ka mbikëqyrë punën mirë të një operatori atë përgjegjësi nuk mundem me marrë. Me 10 dhjetor përfundon pjesa. Nuk ka qenë mbikëqyrësi i komunës, tash është një mbikëqyrës që është kontraktu si kompani, shtesë saj janë pesë ekspertë që kanë përgjegjësi ligjore dhe personale. Është e palogjikshme dhe s’po mundem me kuptu pse duhet ta shohim veç të zezën”- shton tutje kryetari Ferati.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Dreshaj kritikoi kryetarin Ferati në lidhje me deklarimin e tij se VV po i dështon projektet e tij.
“Ma herët tha që militantat e VV po më pengojnë në punë, kisha dashtë me ditë cilin projekt ja ka anulu vetëvendosja. Këtë projekt asnjëherë nuk ja ka pengu Vetëvendosja. Ministri është ardhë vetë. Natyrisht që lobojmë dhe flasim me ministrat tonë. Vitin e kaluar jemi taku me të dhe kanë ardhë dhe kanë bë një marrëveshje me kryetarin por nuk e di cka ka ndodhë. Për shkak të menaxhimit të dobët që e bon komuna po dështon gjithçka”- tha asamblisti.