Babel Cafe është mbyllur që nga 13 marsi - Foto: REL/Courtesy image.

E nesërmja e panjohur për bizneset e vogla

Hapësira prej 100 metrash katrorë, e kafiterisë “Babel Café” në qendër të Prishtinës, ka mbetur bosh që nga 13 marsi i këtij viti, kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente për parandalimin e koronavirusit të ri.

E qeshura e përditshme e mysafirëve, zhurma e aparatit për bërjen e kafesë, tash janë zëvendësuar me një heshtje ankthi mbi të ardhmen e këtij biznesi, por edhe mijëra të tjerëve në mbarë vendin.

Shpat Hasani, pronar i kafiterisë “Babel Café” thotë se pa qarkullim ditor, paratë e gatshme nuk kryejnë punë, aq më tepër kur objekti në fjalë është me qira.

“Humbjet mujore janë më mijëra euro. Dëmi është shumë i madh sepse me qarkullim ditor ne mbulojmë shërbimet komunale, punëtorët dhe të gjitha shpenzimet tjera. Rezervat janë shumë të vogla, pasi gjithsecili biznes, dëshiron të bëjë renovime të ndryshme. Ne së fundmi kemi bërë një renovim shumë të madh në lokal. Po mundohemi të mbijetojmë, por e vështirë është edhe mbijetesa”, thotë zoti Hasani.

Në këtë kafiteri, kanë qenë të punësuar 10 persona, për pagat e të cilëve, Hasani ka aplikuar në Administratën Tatimore të Kosovës për kompensimin e pagave të punëtorëve.

Janë gjithsejtë 60,000 punëtorë, të cilët kanë bërë kërkesë për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale, e cila ka një vlerë prej 180 milionë eurosh. Pakon e ka miratuar Qeveria në detyrë e Kosovës, për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë.

Nga kjo vlerë, 61 milionë euro janë ndarë për pagat e punëtorëve që kanë humbur punën për shkak të pandemisë, subvencionim të qirasë për 50 për qind dhe për kontribute pensionale.

Por, Hasani thotë se qeveria duhet të shikojë mundësitë që të ndihmojë edhe bizneset dhe funksionimin e tyre.

“Besoj se qeveria duhet të mendojë dhe shqyrtojë ndonjë mundësi më të madhe financiare për bizneset, konkretisht ato të gastronomisë, pasi këto kanë ndërprerë komplet aktivitetin biznesor”.

Por, a do të mund të rihapet një biznes i tillë, pasi të ketë përfunduar pandemia?

“Ne do mundohemi t’ia dalim. Por, gjithçka varet nga vendimet e qeverisë, pas lehtësimit të masave dhe hapjes se lokaleve. A do ketë më pak tavolina, sa do të jetë hapësira larg njëra-tjetrës? Kjo varet edhe për numrin e punëtorëve, sa prej tyre do të mund t’i kthejmë në punë?”, tha Hasani.

Në Kosovë shkalla e papunësisë është prej 30 për qind, por ky numër pritet të jetë më i madh marrë parasysh numrin e personave, që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë.

Një hulumtim i Shoqatave Ekonomike në Kosovë, vë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.

Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, sipas këtij hulumtimi rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet e mesme dhe ato të vogla – rreth 13,9 për qind e tyre kanë larguar mbi 50 për qind të të punësuarve./ REL