E mitura ngelet shtatzënë, prokurori tregon pse e la të lirë të dyshuarin

Një e mitur nën moshën 16 vjeçare, ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin e Gjakovës pasi e njëjta kishte mbetur shtatzënë dhe ishte para lindjes.

Një person është arrestuar nën dyshimin se ishte duke bashkëjetuar për dy vjet me të miturën.

Pas arrestimit është njoftuar edhe prokurori kujdestar ndërsa me vendim të këtij të fundit është intervistuar dhe është liruar në procedurë të rregullt i dyshuari.

Për lirimin e të dyshuarit për veprën penale, bashkësi jashtëmartesore me person nën 16 vjet ka folur për KALLXO.com edhe prokurori i rastit Ali Uka.

Ai arsyetoi lirimin për shkak të gjendjes së rëndë financiare të së miturës dhe familjarëve të saj.

“Rasti ka shku në procedurë të rregullt. E mitura ishte para lindjes, i kishte prindërit me probleme shëndetësore në gjendje të vështirë materiale, a po don me i nda tash ata a? Vepër penale është, hetimet janë duke u bërë, ka me u ushtru kallëzim penal nuk e kemi liruar atë nga përgjegjësia, kanë me u bë hetimet”, tha për KALLXO.com, prokurori Uka.

Ai shtoi se i dyshuari i nacionalitetit rom, mbledh kanaçe dhe siguron të ardhura për familjen.

“Çka me bo na, a me shti në burg, ai po u merrke me mbledhje të kanaçeve, po e mbajke familjen, me të miturën i dyshuari kishte pasur marrëdhënie nuk e ka ditur askush, tash kjo e mitura është në spital, e me ndalu e me shti në burg çka po zgjidhim, apo çfarë shpëtimi po bëjmë ne”, shton tutje ai.

Sipas prokurorit Uka në lidhje me këtë çështje mund të ketë një zgjidhje.

“Personi është liruar në procedurë të rregullt sepse nuk ka kush me u përkujdes për të miturën. Vajza i ka prindërit me probleme shëndetësore, i dyshuari ishte duke i mbajtë, çka me bë tash, a me i mbyt na njerëzit a? Hetimet vazhdojnë, ushtrohet kallëzimi penal, na me shtinë burg çka bëjmë tjetër pos që bëhet ngarkim i shoqërisë. Zgjidhja mund të jetë kështu, kur t’i bën vajza 16 vjet tash lind, ky djali i ka mbi 18 vjet, rregullohet dokumentacioni përmes QPS, merret gjendja e nënës me fëmijën dhe me pajtimin e prindërve lidhet kurora dhe kjo është çështja. Duhet me i vlerësu edhe rrethanat e rasteve”, tha prokurori.

Uka në fund tha se për çdo veprim ka qenë në koordinim edhe me kryeprokurorin e Gjakovës, Ramiz Buzhala.

E mitura shtatzënë, arrestohet dhe pastaj lirohet i dyshuari që bashkëjetonte me të