E mira, e keqja dhe jokushtetuesja: Të drejtat transgjinore përballë gjykatave

Pasi u ngarend nëpër gjykata dhe zyra të ndryshme administrative në Kosovë, procesi i shumëpritur gjyqësor i paraqitur nga Blert Morina për të ndryshuar emrin dhe gjininë në letërnjoftimin e tij që do të pasqyronte identitetin e tij gjinor, filloi ditën e mërkurë.

Të mërkurën në mëngjes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u mbajt seanca e parë dëgjimore në rastin e Blert Morinës, një transgjinor që po përpiqej të ndryshonte emrin dhe gjininë në dokumentet e tij zyrtare të identifikimit, pas një beteje juridike 18-mujore me institucionet e ndryshme gjyqësore dhe administrative të Kosovës të cilat deri më tani kanë refuzuar kërkesën e tij.

Ky rast ka pasur baticat dhe zbaticat e tij. Morina ka ngritur dy padi, një në Gjykatën Themelore dhe tjetrën në Gjykatën Kushtetuese, pasi Zyra e Regjistrimit Civil refuzoi të aprovojë kërkesën për ndryshimin e gjinisë dhe emrit.

Në shtator, pas një viti, një muaji e gjashtë ditësh, Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e paraqitur nga Blert Morina, duke refuzuar kërkesën e tij nga Gjykata që të sigurojë një shqyrtim kushtetues të procesit që personat transgjinorë të ndryshojnë emrat e tyre dhe shënuesin e gjinisë.

Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e tyre javën e kaluar, duke thënë se kërkesa e Blert Morinës ishte e papranueshme, duke e kthyer atë përsëri në Gjykatën Themelore të Prishtinës për trajtim me gjithë pretendimet e Blert Morinës se grumbulli i rasteve në Gjykatën Themelore do të rezultonte në një vonesë të paarsyeshme të procesit. 

Sipas Blertit, kjo do t’i shtonte potencialisht tre deri në katër vjet kohë për të zgjidhur rastin e tij, duke mos respektuar të drejtën e tij që ky rast të zgjidhet në një kohë më të arsyeshme.

Gjykata Kushtetuese nuk u pajtua me këtë duke deklaruar se procesi gjyqësor i Blert Morinës para Gjykatës Kushtetuese ishte “i parakohshëm” dhe se sistemi juridik i Kosovës është i aftë të sigurojë një mjet efektiv juridik për Blertin, pavarësisht grumbullit të tepruar të rasteve, të cilat Gjykata Themelore i adreson sipas parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari”.

Morina në Paradaën e Krenarisë më 2018. Foto: CEL

Përmes një vendimi të befasishëm, Gjykata Themelore njoftoi muajin e kaluar (vetëm disa javë para se Gjykata Kushtetuese të hidhte poshtë rastin) se seanca dëgjimore e Blert Morinës do të fillonte të mërkurën, më 8 Tetor. Megjithatë, avokatja e Blertit, Rina Kika, shpjegoi se për të dhe klientin e saj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është akoma zhgënjyes.

“Nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte pranuar çështjen e Blertit, do të sqaronte interpretimin ligjor që do të zbatohej për çdo rast tjetër të ndonjë personi që përpiqet të ndryshojë emrin e tij ose shënuesin gjinor. Por tani, vendimi do të zbatohet vetëm për rastin e Blertit,” tha ajo.

Sipas Kikës, është e mundur që Gjykata Themelore thjeshtë do ta dërgojë çështjen e Blertit përsëri në Agjencinë e Regjistrimit Civil e cila fillimisht e refuzoi kërkesën e tij në prillin e vitit 2018, por që kjo mund të ketë pasoja serioze negative.

 “Ekziston mundësia që një vendim identik të merret nga Agjencia e Regjistrimit Civil nëse Gjykata Themelore vendos në favorin tonë dhe e dërgon rastin përsëri në Agjenci për rivlerësim,” tha ajo.

Morina dhe ekipi i tij do të përpiqen të insistojnë që Gjykata Themelore të adresojë diskriminimin në baza gjonore dhe shkeljen e të drejtave të njeriut subjekt i së cilave ishte vetë Morina, mirëpo shqetësimet mbeten që Gjykata do të heqë dorë nga detyrimet e saj dhe do t’ia kalojë rastin edhe një herë autoriteteve që kundërshtuan kërkesën e tij fillimisht.

Regjistrimi Civil “që injoron” ligjin e Kosovës

Problemet e Morinës filluan në prill të vitit 2018 kur Agjencia e Regjistrimit Civil refuzoi kërkesën e tij të parë, duke deklaruar se arsyetimet e Blertit për ndryshimin e emrit të tij “ishin të pabazuara” pasi mbajtja e emrit aktual në letërnjoftimin e tij nuk do të kishte “asnjë efekt në integrimin e tij në shoqëri”, thuhej në vendim, dhe se Blerti nuk paraqiti fare prova që do të vërtetonin ndryshe.

Agjencia e Regjistrimit Civil tha se gjinia e një personi është “një fakt natyror, i cili duhet të rregullohet përmes një raporti mjekësor” përpara se të bëhen ndryshime në elementet e gjendjes civile të një personi. 

Sidoqoftë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur më parë se të kërkosh nga personat transgjinorë sigurimin e çfarëdo  lloj prove të intervenimit mjekësor përpara se të bëhet ndryshimi në dokumentet e identifikimit paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

Kika sqaroi se ata kundërshtuan vendimin e Agjencisë së Regjistrimit Civil sepse kjo gjithashtu bie ndesh me ligjet e brendshme të Kosovës. 

“Në ligjin për regjistrimin civil thuhet se gjinia është një fakt natyror që mund të faktohet përmes një raporti mjekësor, mirëpo kjo e shpërfill edhe Ligjin për Barazi Gjinore po ashtu edhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi,” tha ajo.

Asnjë procedurë e shkruar nuk ekziston në ligjin administrativ të Kosovës që mund t’i lejojë një personi të ndryshojë shënuesin gjinor në dokumentet e identifikimit nga “F” në “M” ose anasjelltas, shpjegoi Kika.

 “Fakti është se ligji në fjalë këtu me të vërtetë nuk e thotë se çfarë duhet të bëjmë, është i diskutueshëm pasi nuk ka as edhe një procedurë për ndryshimin e shënuesve gjinorë.”

Sidoqoftë, një vendim i fundit nga Gjykata e Apelit mund të jetë në favor të Blert Morinës. 

Në gusht, Gjykata mbështeti një vendim pozitiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë që urdhëroi Agjencinë e Regjistrimit Civil në Prizren të ndryshojë emrin dhe shënuesin gjinor të një aplikuesi të njohur vetëm si ‘Y.’ 

Ministria e Punëve të Brendshme e apeloi këtë vendim, por Gjykata e Apelit u pajtua që Agjencia e Regjistrimit Civil kishte shkelur të drejtat e aplikuesit.

 “E drejta për mbrojtjen e identitetit gjinor mbrohet përmes të drejtës së intimitetit në bazë të ligjit për pavarësi të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, thuhet në vendim. 

“Sipas tyre [GJEDN], koncepti i së drejtës për jetën private … përfshin integritetin fizik dhe mendor të një personi, dhe nganjëherë mund të përfshijë aspekte të identitetit fizik dhe shoqëror, siç janë identifikimi gjinor, emri, orientimi dhe jeta seksuale. “

Sipas Kikës, mendimi i Gjykatës së Apelit reflekton mendimet e tij lidhur me rastin e Blert Morinës.

“Jam i lumtur kur shoh që Gjykata e Apelit në të vërtetë iu referohet të drejtave themelore të njeriut në vendim gjyqësor, dhe ata ndoqën të njëjtin arsyetim që ne e kemi përdorur në padinë tonë,” tha ajo.

“Është mëse e qartë se Gjykata e Apelit me të vërtetë ka marrë qëndrim mbi interpretimin e ligjit në këtë rast, dhe ishte shumë e qartë në përgjigjen e tij,” vazhdoi ajo.

 “Sa i përket ndryshimit të shënuesve gjinorë, identiteti gjinor është një kategori e mbrojtur në përputhje me jurisprudencën e Strasburgut, dhe është pjesë e autonomisë personale.”

Sipas gjykimit të Gjykatës Kushtetuese të botuar në tetor, kjo nuk është hera e parë që një personi në Kosovë i është dhënë një vendim pozitiv për ndryshimin e emrit dhe shënuesve të gjinisë.

Në Prill të vitit 2012, Komuna e Suharekës e miratoi vendimin e një gruaje transgjinore për të ndryshuar shënuesin e saj gjinor në ‘F’, si dhe emrin e saj.

Kika tha se mospërputhjet e zbuluara në vendimet e autoriteteve të regjistrimit civil të Kosovës me kërkesat që kanë të bëjnë me njohjen juridike të gjinisë duhet të adresohen. Kjo është një mundësi për të kërkuar përgjegjësi nga këto autoritete, tha ajo, dhe të sigurohet që ata të zhvillojnë një praktikë konsistente.

“Ky do të jetë një mësim i mirë për regjistrimin civil në mënyrë që ata të kuptojnë detyrimet që kanë ndaj qytetarëve të Kosovës që të marrin në konsideratë të gjitha ligjet e zbatueshme dhe të mos aplikojnë një qasje të ngushtë. Tani që ky vendim i Gjykatës së Apelit është marrë, nuk ka asnjë arsyetim për të mos bërë një gjë të tillë”, tha Kika.

Të martën, gjatë një konference të organizuar si pjesë e Javës së Krenarisë së Kosovës, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari në lidhje me rastin e Blert Morinës deklaroi se nuk ka “nevojë të komentohet” se cili duhet të jetë rezultati i rastit, sepse përgjigja ishte “aq e lehtë dhe aq e qartë ” sa nuk kishte “nevojë për të debatuar” në lidhje me rastin.

Pavarësisht rezultatit nga rasti i Blert Morinës, Kika ndjehet pozitiv që ky vendim do të ketë një efekt në perceptimet dhe pranimin e komunitetit transgjinor në Kosovë, duke e lehtësuar diskutimin publik dhe me shpresë se do të shtojë presionin mbi institucionet gjyqësore për të zgjidhur rastin sa më shpejtë.

“Pas inicimit të rastit, isha e befasuar me shumë njerëz që takova të cilët më njohën dhe të cilët shtronin pyetje në lidhje me këtë rast. Kështu që shumë njerëz filluan të interesoheshin të dinin më shumë për këtë rast,” tha ajo.

“Në veçanti, njerëzit transgjinorë janë një nga komunitetet më të margjinalizuara në Kosovë. Jam krenare me faktin se perspektiva e tyre tani është pjesë e ligjërimit publik, dhe kjo është arritur për shkak të rastit të Blertit dhe asaj që ne po përpiqemi të bëjmë. “