Foto: KALLXO,com

E mbushi me derivate të spitalit veturën personale, aktakuzë ndaj drejtorit të Spitalit të Ferizajt

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Halit Gërbeshi, ishte arrestuar më 14 janar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I njëjti dyshohej se kishte mbushur me derivate të spitalit veturën e tij personale.

Gërbeshit, Prokuroria e Ferizajt sot i ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtar dhe ushtrim të ndikimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga muaji shtator 2021 e deri në muajin dhjetor 2021, në Ferizaj, Halit Gërbeshi në cilësinë e personit zyrtar, Ushtrues i detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm kishte mbushur me derivate shtatë herë veturën e tij personale në kuadër të tenderit të spitalit.

Sipas aktakuzës, kjo vepër është kryer me dashje, duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete.

“Në pompën e derivateve “HIB Petrol” e cila gjendet në Ferizaj, shtatë herë, ka furnizuar me derivate në kuadër të tenderit të spitalit, veturën e tij private të markës HUNDAY, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403,97 Euro”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Gjithashtu, Gërbeshi dyshohet se në muajin dhjetor 2021 me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, ku me ndërmarrjen e këtij veprimi të paligjshëm, i njëjti ka furnizuar me derivate veturën e tij private të markës HUNDAY.

Me këtë, Halit Gërbeshi po akuzohet se ka kryer veprën “Ushtrimi i ndikimit”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që Halit Gërbeshi të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë.

Dyshohet se e mbushi me derivate veturën personale, arrestohet drejtori i Spitalit të Ferizajt