Screenshot: Komuna e Podujevës/Facebook

E lagu drejtorin e Komunës me ujë, asamblisti i LDK-së në Podujevë kërkon falje

Asamblisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Rrahmani që lagu me ujë sot drejtorin e arsimit në Podujevë , Avni Fetahun gjatë një debati në seancën e Kuvendit Komunal, ka kërkuar falje për veprimin e tij.

Rrahmani ka thënë se veprimin e ka bërë pa paramendim duke shtuar se në vazhdimet e seancës ka kërkuar falje.

“Veprimin e kam bërë pa paramendim dhe në rrjedhë e sipër të diskutimeve nënçmuese, e fyese që po përdorte z. Fetahu ndaj grupit tonë, grup në të cilin ishte edhe vet ai deri dje. Për veprimin dhe në respekt të kuvendit dhe kolegëve asamblistë, në vazhdimet e seancës kam kërkuar falje”, ka shkruar Rrahmani në Facebook..

Rrahmani ka thënë se nuk i ndryshon bindjet për drejtorin që sipas tij, është dashur të intervistohet nga organet e rendit për shkak të keqpërdorimeve në punësim.

“Ndërsa, kjo aspak nuk e ndryshon bindjen time për drejtorin, i cili në këto momente është dashur të ishte duke u intervistuar nga organet e rendit për shkak keqpërdorimeve masive në punësim dhe skandaleve me tenderë në furnizimin e shkollave”, ka thënë Rrahmani.

Tutje, asamblisti ka shtuar se të gjitha faktet e tij do të i paraqes edhe në organet e drejtësisë.

“Justifikimi për tri pika ujë, po ikim nga seanca, nuk pi ujë, kjo ishte vetëm preteks për të ikur nga përgjegjësia. Të gjitha faktet tona do të paraqiten në organet e drejtësisë”, shtoi ai.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Podujevës sot ka ndodhur një situatë jo shumë e zakonshme.

Drejtori i Arsimit të kësaj komune, Avni Fetahu gjatë fjalës së tij është lagur me ujë nga asamblisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Rrahmani.

Fetahu ishte duke iu përgjigjur pyetjeve të asamblistëve që u parashtruan gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme kur ndodhi e gjithë situata.

Gjatë fjalës së tij ai ka filluar të flasë edhe për përzgjedhjen e tij kur ka qenë kandidat për asamble, ku në një moment iu është drejtuar Rrahmanit duke i thënë “ke qenë i kërcënuar prej familjareve tuaj që nëse nuk më shtini në listë të kandidatëve te LDK-ja unë shkova në Vetëvendosje. Unë jam kanë prezent aty, nuk ke çka me më shti kësi sene mua”.

Pas kësaj, Rrahmani ka ngritur dorën për të kërkuar fjalën mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Më pas, ai është ngritur nga karriga e tij dhe e ka lagur me ujë të parin e arsimit në këtë komunë.

Kryesuesi i këtij kuvendi, ka kërkuar nga asamblisti i LDK-së që ta lëshoj sallën, ndërsa asamblistja e LVV-së ka thënë se me sjellje të tilla grupi i LVV-së nuk mund të vazhdojë seancën dhe e kanë liruar sallën.