
E-Kosova tash edhe me aplikacion mobil
Platforma E-Kosova tani mund të përdoret nga qytetarët edhe si aplikacion mobil, për iOS dhe Android.
Kështu ka njoftuar kryeministri Albin Kurti duke thënë se kjo platformë është dritare digjitale për qytetarët dhe bizneset, të më shumë se 1 milion përdoruesve të regjistruar dhe mbi 220 shërbime elektronike të zhvilluara.
“Certifikatat e gjendjes civile, certifikatat e pronës dhe kopjet e planit, obligimet e tatimit në pronë e gjobat në trafik, vazhdimi i regjistrimit të veturës, certifikata për historinë penale, aplikimet për shtesa, benefite, grante e subvencione, pagesat elektronike, e së fundmi edhe Raporti kreditor – të gjitha këto shërbime dhe shumë të tjera tani janë në dispozicion online në E-Kosova, më lehtë se kurrë më parë! Vazhdojmë me digjitalizimin për shërbime më të mira për të gjithë!” – ka shkruar Kurti, më 18.02.2025.
Platforma e shërbimeve elektronike E-Kosova është sportel elektronik, përmes të cilit çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit shërbime elektronike që ofrohen nga institucionet publike në Kosovë – duke shkurtuar distancën, rritur efikasitetin dhe shpejtësinë e marrjes së shërbimit.
Platforma E-Kosova menaxhohet dhe administrohet nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit.