E konfirmon mjeku, Eriksen pësoi arrest kardiak

Christian Eriksen pësoi një arrest kardiak kur ra pa ndjenja në fushë, në ndeshjen e Danimarkës në “Euro 2020” kundër Finlandës, tha mjeku i ekipit danez Morten Boesen.

Më herët, zyrtarët thanë që mesfushori është në gjendje të qëndrueshme në spital dhe u kishte dërguar përshëndetje shokëve të tij të kombëtares, raporton BBC.

Eriksen ra pa ndjenja në fushë pak para përfundimit të pjesës së parë në ndeshjen hapëse të Danimarkës në “Euro 2020” kundër Finlandës.

“Ai kishte ikur. Ne bëmë reanimacion kardiak, ishte një arrest kardiak”, tha Boesen.

“Sa afër ishim për ta humbur atë? Unë nuk e di, por e kthyem përsëri pas një [defibrilimi] kështu që kjo është mjaft e shpejtë”.

Lojtari 29-vjeçar i Interit mori trajtim urgjent mjekësor në fushë para se të dërgohej në spital.

“Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ai vazhdon të jetë i shtruar në spital për ekzaminim të mëtejshëm”, thuhet në një deklaratë të dhënë nga zyrtarët danezë sot mëngjes.

“Këtë mëngjes kemi folur me Christian, i cili u ka dërguar përshëndetje shokëve të tij të skuadrës.

“Ekipi dhe stafi i ekipit kombëtar ka marrë ndihmë në një kohë të vështirë dhe ata do të vazhdojnë të jenë pranë njëri-tjetrit pas incidentit të djeshëm.

“Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjithë për përshëndetjet e tyre të përzemërta.”

Incidenti i së shtunës ndodhi derisa një rivënie u luajt drejt Eriksen afër fundit të pjesës së parë.

Shokët e skuadrës së tij të dëshpëruar e rrethuan atë dhe mbështetësit e shokuar në Parken Stadium ishin të mërzitur ndërsa lojtari po e merrte trajtimin mjekësor për disa minuta në fushën e lojës, në qiell të hapur.