I ofron policit ryshfet - Foto: Facebook

E kishte të ndaluar të hynte në Kosovë, shtetasi i Shqipërisë i ofroi ryshfet policit kufitar

Një 35 vjeçar shtetas i Shqipërisë është arrestuar sot në pikën kufitare Vërmicë pasi tentoi që të korruptoj një zyrtar policor me 50 euro.

Gjatë ditës së djeshme në vendkalimin kufitar Vërmicë një person i cili kishte ndalesë të hynte në Kosovë për pesë vite është arrestuar.

I njëjti sipas njoftimit të policisë deri sa po kontrollohej nga policia kufitare së bashku me tre persona të tjerë të cilët ishin me një automjet, kishte tentuar të i jepte ryshfet një polici për t’ia lejuar hyrjen në Kosovë.

“Në dokumentet që i janë prezantuar Policisë Kufitare, kishte të futur një kartëmonedhë prej 50 (pesëdhjetë) eurosh”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje sipas njoftimit, polici ka kërkuar nga personi të dijë pse janë këto të holla në dokumente, ndërsa pasagjeri në ulësen e parë është përgjigjur se “këto të holla i ka vendosur pasi që kishte ndalesë për të hyrë në Republikën e Kosovës dhe me to t’i mundësohet hyrja”.

Gjatë kontrollit në sistemin e të dhënave të Policisë Kufitare është vërejtur që personi E. R., viti i lindjes, 1986, kishte ndalesë hyrje për pesë vite në Republikën e Kosovës.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Vërmicë, është njoftuar prokurori kujdestar dhe është hapur rasti ‘Dhënie e ryshfetit personit zyrtar’.

Personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren.