E-Kiosqet jofunksionale të Komunës së Prizrenit

E-Kiosqet e vendosura në Komunën e Prizrenit nuk janë funksionale, ndërsa komuna nuk e di as kohën dhe as arsyen se pse nuk janë funksionale këto E-Kiosqe.

Sipas një përgjigjeje të komunës së Prizrenit, në tërë komunën janë të vendosura 8 pajisje të tilla.

“Një në objektin e administratës, një në Bazhdarhane, një në Hoqë të Qytetit, një në doganë, një në Arbanë, një në Reqan, në Korishë një dhe në Piranë një”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prizrenit.

Tetë pajisjet i kanë kushtuar komunës 68 mijë euro përmes një kontrate furnizimi të vitit 2016, ndërsa çmimi për një pajisje ka qenë 8 mijë e 500 euro.

Kujtojmë se në qeverisjen e mandatit të kaluar, Komuna e Prizrenit kishte futur në funksion qendrën “One Stop Shop” të Administratës Komunale.

Funksionalizimi i kësaj qendre kishte qenë premtim elektoral i ish kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka.