Arkiv - Policia e Shtetit

E kërcënuan e me dhunë dyshohet se i morën edhe para, arrestohen tre persona

Policia e Shtetit ka njoftuar se tre persona janë arrestuar nga ana e tyre pasi që dyshohet se të njëjtit duke e kërcënuar një person tjetër dhe me anë të dhunës i kishin marrë një shumë parash.

Policia ka njoftuar se në banesën e njërit nga të dyshuarit janë sekuestruar dhjetëra doza me kanabis, dy peshore elektronike, një radio marrëse- dhënëse dhe dy automjete.

Ndiqet penalisht por është liruar njëri nga tre të dyshuarit nën dyshimet se nuk ka lajmëruar veprën penale.

Sipas njoftimit, Shërbimet e Komisariatit të Policisë në Elbasan, pas marrjes së njoftimit se 3 shtetas kishin kanosur dhe dhunuar një shtetas dhe i kishin marrë atij, një shumë parash, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve.

Në kuadër të operacionit “Postimi”, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

D. R., 23 vjeç, E. B.(S), 25 vjeç dhe F. Ç., 26 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar dhe kanosur me jetë shtetasin A. A., 20 vjeç, banues në Belsh dhe i kanë marrë atij shumën 2000 euro, pasi ai kishte postuar në rrjetin social instagram, automjetin e shtetasit D. R.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. R., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 74 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete.

Në vijim të veprimeve janë referuar materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit: A. K., 43 vjeç, A. H., 51 vjeç, A. B., 29 vjeç, të tre banues në Elbasan, pasi kanë patur dijeni për ngjarjen dhe nuk kanë kallëzuar në Polici.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.