E kërcënoi dhe ia mori dokumentet gruas së tij, arrestohet i dyshuari nga Suhareka

Një rast i dhunës në familje ka ndodhur në fshatin Studenqan të Suharekës.

Me datën 15 nëntor, Policia ka pranuar informatën se një burrë dyshohet se ka kanosur gruan e tij  dhe se po e mban me forcë në shtëpi.

I njëjti dyshohet se ia kishte marr kartelën bankare dhe dokumentet e udhëtimit asaj dhe fëmijëve dhe se po nuk e lejonte që ajo të udhëtonte për në Suedi, ku viktima me familjen e saj jetonte deri para katër muajve.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 16:20 është shoqëruar për në Stacionin Policor i dyshuari dhe viktima së bashku me dy fëmijët e saj.

“Është intervistuar viktima e cila deklaroi se i dyshuari po e fyente me fjale ofendues, po e izolonte dhe po e kanoste “kam me te vra , kam me te mbyt”, sipas viktimës i dyshuari ia kishte marr kartelën e bankës dhe dokumentin e nënshtetësisë se djalit te tyre dhe nuk po e lejonte që të shkoj  në Suedi” – thuhet në njoftimin e forcave të rendit.

Policia është konsultuar me prokurorin kujdestar dhe me urdhër të tij  është iniciuar rast “Kanosje-Dhunë në familje”, i dyshuari ndalohet për 48 ore, ndërsa viktima dhe fëmijët e saj janë marr në përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale.