Foto: Ilustrim

E kapi për fyti vajzën e saj, dënohet me burg dhe gjobë nëna nga Podujeva

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me tre muaj burg dhe 300 euro gjobë një nënë për dhunë ndaj vajzës së saj. Sipas vendimit të Gjykatës së Prishtinës – Dega në Podujevë të 15 majit 2023, vajza kishte kërkuar që të shkojë në vizitë tek tezja e saj, ndërsa nëna e saj e ka sulmuar duke e kapur për fyti.

Në seancën e 12 majit 2023, e pandehura Sh.A e kishte pranuar fajësinë.

“Nuk e kam bërë me qëllim, e pranoj që e kam kapur për fyti dhe i kam thanë shuj se nuk bën, D. është e sëmurë dhe, nuk bën me lëshu në rrugë me dalë vetëm, nga ky rast nuk kemi më probleme, kujdesem për të, e dërgoj për mjek, pasi që burri më ka vdekur. Premtoj se nuk do të përsëritet më”- citohet të ketë thënë e pandehura gjatë seancës.

Ndërsa, vajza e cila ishte pranishme në seancë kishte deklaruar se nëse e njëjta gjë nuk përsëritet më, ajo ia falë nënës së saj.

“Është e vërtetë se më ka kapur për fyti, kam pasur me shku te tezja e kjo s’më ka leju, nëse s’më ngucë më unë jam me ja falë, unë jam e sëmurë me ilaçe, nuk kërkoj kompensim dëmi, nuk i bashkëngjitëm ndjekjes penale” – kishte thënë ajo.