Dyshime në proces, Hashim Thaçi fali personin që po gjykohet

Shpresim Ukaj, i cili ishte dënuar me 15 vite burgim në rastin “BLLACA” u fal nga ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, vetëm një ditë para se ky i fundit të jepte dorëheqje.

Atij me dekretin e Presidentit iu falën plotë katër vite burgim.

Ai po vuante dënimin me burgim prej 15 viteve për pjesëmarrje në vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentim vrasjen e ish-zëvendës kryeministrit të Kosovës Adem Salihaj.

Ndonëse si rregull parashihet që nga falja mund të përfitojnë vetëm personat që kanë respektuar rregullat e ri socializimit dhe ri integrimit gjatë vuajtjes së dënimit të dhënat tregojnë se Shpresim Uka pas dënimit i ishte shmangur drejtësisë.

Pas dënimit në vitin 2012, Shpresim Ukaj ishte arratisur dhe nuk ishte kapur deri në nëntor të vitit 2015.

Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës me 11 nëntor të vitit 2015 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë pas disa viteve në arrati.

Uka bashkë me Sadik Abazin, Bekim Sylën, Fahredin Gashin dhe Nazim Bllacën ishin dënuar për vrasjen e Ibush Kllokoqit.

Mirëpo, ky nuk është rasti i vetëm në të cilin ishte akuzuar Shpresim Uka.

Uka është pjesë edhe e aktakuzës voluminoze të ngritur nga prokurori italian Danillo Ceccarelli për rastin “TOKA”, ku bashkë me Azem Sylën akuzohet për krim të organizuar.

Madje në aktkuzën e ngritur nga EULEX thuhet se pronat e grupit të Azem Sylës u përdorën për t`i shpërblyer dëshmitarët e të akuzuarve në rastin ‘Bllaca 2’.

Në këtë aktakuzë thuhet se punonjësi i Postës së Kosovës, Sami Maqedonci, përfitoi një pronë me vlerë prej 100 mijë euro në kompensim të një deklarate në favor të Shpresim Ukës në rastin ‘Bllaca 2’.

Sipas Aktakuzës së Prokurorit Special Shpresim Uka, Azem Syla dhe njëmbëdhjetë të tjerë akuzohen për krim të organizuar.

Ata akuzohen se nga viti 2006 deri në vitin 2016, në territorin e Kosovës, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Ish komandanti i UÇK-së dhe ish deputeti i PDK-së, Azem Syla, përshkruhet si “organizues, mbikëqyrës, menaxher dhe drejtues” i grupit kriminal i cili “krijoi aktivitetet kriminale të grupit dhe i financoi ato”.

Ekskluzive: Aktakuza Voluminoze Ndaj Grupit të Azem Sylës

Pse u dënua Shpresim Uka në rastin ‘Bllaca’.

Shpresim Uka, Sadik Abazi, Bekim Syla, Fahredin Gashi dhe Nazim Bllaca, akuzoheshin për vrasje, kidnapim e tentim vrasje në rastin “Bllaca 2”.

Sipas aktakuzës më 6 gusht të 1999-ës, të akuzuarit kishin vrarë Ibush Kllokoqin, duke e lënë të vdekur me disa të shtëna me armë zjarri. Atë natë Fahredin Gashi i kishte siguruar Nazim Bllacës një lloj të armës Skorpion. Pastaj ata së bashku me Shpresim Ukën, Bekim Sylën dhe Sadik Abazin shkuan te shtëpia e Ibush Kllokoqit.

Shpresim Uka kishte pritur afër shtëpisë, ndërsa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kishin trokitur në derën e shtëpisë së Kollokoqit, thuhet më tutje në pikën një të aktakuzë. “Kur viktima u shfaq në derë, Nazim Bllaca e vrau atë me së paku 6 plumba”.

Uka bashkë me Driton Hajdarin dhe Shaban Sylën ishin dënuar edhe për tentim vrasjen e Adem Salihajt në qershor të vitit 2000.